
“Gruaja ime është vetëvrarë”. Pak orë pas vdekjes së 18-vjeçares Alberta Haxhia në Shkodër, bashkëshorti i saj, Eder Haxhia, 24 vjeç, u dorëzuar në polici.Ai ka mohuar të jetë autori i krimit të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në ambientet e konviktit të Shkollës Industriale ku jetonte çifti i sapomartuar. “Është e vërtetë që kemi pasur mosmarrëveshje dhe grindje, si çdo çift tjetër, por asnjëherë nuk kam menduar ta vras gruan time”. Kështu u ka pohuar 24-vjeçari uniformave blu gjatë marrjes në pyetje. Më tej ai ka dhënë shpjegime për atë se çfarë ka ndodhur para dhe pas krimit. Sipas Haxhisë, natën e krimit ka nisur një grindje mes tyre dhe në një moment të caktuar Alberta ka marrë pistoletën dhe e ka vënë në gjoks duke e shkrehur atë. “Pas kësaj, unë, i tronditur e kam marrë gruan në krahë, e kam hipur në motor dhe e kam dërguar në spital me shpresën se do t’ia hidhte. Por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Kur më thanë mjekët se Alberta vdiq, u trondita shumë, hipa në motor dhe u largova me të shpejtë, pa e ditur as vetë se ku. Vetëm kur mora vesh se policia më kërkonte si autor të vrasjes mendova të dorëzohesha më mirë dhe të tregoja të vërtetën”, mësohet të ketë pohuar Eder Haxhia gjatë marrjes në pyetje nga uniformat blu. Ndërkohë që burime nga Policia thonë se janë duke shqyrtuar dhe dëshminë e 24-vjeçarit. Sipas tyre, Eder Haxhia dyshohet të jetë autori i vrasjes së bashkëshortes së tij, por gjithsesi, do të jenë hetimet e mëtejshme që do të provojnë nëse ai është fajtor. Për policinë ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie. Autori dhe viktima kishin kohë që jetonin në konviktin e kësaj shkolle. Në momentin që ka ndodhur krimi, në dy dhomat e konviktit ku jetonte familja Haxhia ishte vetëm çifti, pasi prindërit e Ederit, vëllai dhe motra, ndodheshin në plazhin e Velipojës ku ata punonin gjatë sezonit të verës si shitës ambulantë. Ata kanë ardhur në Shkodër vetëm kur janë njoftuar se çfarë kishte ndodhur. Nusja e re u qëllua me një plumb të vetëm pistolete në zemër, duke gjetur vdekjen pak minuta më vonë në spitalin e Shkodrës. Nga të dhënat e marra mësohet se çifti ishte njohur nëpërmjet rrjetit social për t’u martuar rreth një vit më parë. Viktima ishte me origjinë nga Skrapari. Sipas familjarëve të autorit, deri dje pasdite nuk kishte të afërm të viktimës në Shkodër dhe nëse ata nuk paraqiten për të tërhequr trupin, do të jenë njerëzit e bashkëshortit që do t’i bëjnë nderimet e duhura 18-vjeçares. Çifti i ri jetonte në një prej dhomave të konviktit të Shkollës Industriale në Shkodër, pasi ishin cilësuar si të pastrehë. Në momentin e ngjarjes ata ndodheshin vetëm në dhomë, pasi të afërm të tyre ishin me punë në plazhin e Velipojës. Fqinjët kanë deklaruar për policinë se kanë dëgjuar një grindje me zë të lartë mes çiftit e më pas një krismë të vetme.
Autori
Nga ana e policisë mësohet se autori i dyshuar ka qenë person problematik dhe se kohët e fundit ka vuajtur dënimin në burgun e Lezhës për veprat penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “kanosjes për shkak të detyrës”, “mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Vrasja ka ndodhur rreth orës 21:00. Nga Policia mësohet se në bazë të dëshmitarëve, fillimisht janë dëgjuar grindje e pastaj edhe një e shtënë arme. Sipas tyre, autori është larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes dhe pastaj është kthyer në banesën e tij me pretendimin se bashkëshortja, Alberta, pas zënkës që kishte pasur me të, kishte kryer vetëvrasje.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











