Vrau fëmijën, pranga 71-vjeçarit

Mar 14, 2011 | 12:39

Arrestohet pas 12 vitesh pasi vrau një fëmijë. I shumëkërkuari për vrasje, Nebi Ajazi, 71 vjeç, nga fshati Varosh Dibër, i dënuar me 18 vjet heqje lirie për krimin ndaj një 9-vjeçari dhe plagosjen e nënës së tij, u arrestua dje në zonën e Plazhit, në Durrës.Ky shtetas është dënuar në vitit 2000 nga Gjykata e Rrethit Dibër, pasi më 17 shtator të vitit 1999 ka vrarë me armë zjarri në mënyrë të qëllimshme 9-vjeçarin Fatjon Buçi, si dhe plagosi nënën e viktimës, Donika Buçi. Policia sqaron se ngjarja ka ndodhur në vitin 1999, në Varosh, Dibër, për motive pronësie. Të njëjtat burime thanë se gjatë prangosjes së të shumëkërkuarit, policia i ka gjetur dhe më pas sekuestruar një armë zjarri, të cilën e mbante pa leje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur 12 vite më parë, pikërisht më 15 shator të vitit 1999, në fshatin e Dibrës. Shkak i këtij krimi të rëndë, ku mbeti i vdekur një i mitur dhe u plagos rëndë në kokë e ëma, ka qenë një konflikt midis familjesh, por që ka marrë jetën e fëmijës. Sipas policisë, 57-vjeçari Hekuran Ajazi, në bashkëpunim xhaxhain e tij, Nebi Ajazi, sot 71 vjeç, janë konfliktuar me familjen Buçi në fshatin Varosh të komunës Lurë. Sipas informacioneve të atëhershme, sherri kishte kohë që kishte nisur dhe gjithçka lidhej me pretendimin e të njëjtës pronë nga të dyja këto familje. Më 15 shtator, Hekuran Ajazi (i arrestuar 5 vite më parë në Devoll të Korçës), së bashku me xhaxhain e tij, janë gjendur në oborrin e shtëpisë së Donika Buçit, ku kanë qëlluar me automatik duke lënë të vdekur në vend fëmijën 9-vjeçar. Më pas, ata kanë hyrë në banesë dhe nga të shtënat e automatikut ka mbetur e plagosur dhe e ëma e fëmijës, Donika Buçi, e cila është qëlluar në kokë. Ngjarja u konsiderua mjaft e rëndë, ndërsa pas kryerjes së vrasjes, personat ishin larguar nga vendi i ngjarjes duke lënë të mbështjellë me mister krimin e pazakontë. Për vite me radhë, dy personat kanë mundur të fshehin gjurmët e vendndodhjes së tyre, duke i shpëtuar drejtësisë. Por arrestimi i autorit të fundit të ngjarjes u krye vetëm një ditë më parë nga forcat e policisë së Durrësit, duke i përballur me drejtësinë.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura