Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau efektivin e forcave “Shqiponja” Enea Mekolli dhe plagosi tjetrin Edison Adri gjatë operacionit për kapjen e tij mëngjesin e sotëm në Lozhan të Maliqit, ishte parë një ditë më parë duke bërë xhiro në fshat, ndonëse ishte në kërkim prej vitesh.

Policia e Korçës ka organizuar operacionin për kapjen e tij pasi ka marrë informacion që 43-vjeçari ka shkuar nga fshati në stanin ku kishte bagëtitë dhe rrinte me nënën e tij. Edhe pse i kishte shpëtuar edhe katër herë ndër vite operacioneve të Forcave RENEA, policia e Korçës nuk e ka vlerësuar siç duhet rrezikshmërine e tij dhe kanë shkuar një numër i pakët efektivësh për ta kapur. Burime bëjnë me dije se kanë qenë vetëm 6 policë të Forcave “Shqiponja”.
Ngjarja e rende ndodhi rreth orës 07:30, kur policia rrethoi stanin ku fshihej 43 vjeçari. Pasi iu kërkua të dorëzohej, Braçellari ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve. Për pasojë u vra efektivi Enea Mekolli, pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ndërsa i plagosur mbeti një tjetër Edison Adri, i cili mori një plagë në nofull ndërsa aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës.
Gjatë kundërpërgjigjes së Policisë me armë zjarri, mbeti i plagosur edhe Braçellari, i cili më pas u arrestua. 43-vjeçari rezulton i dënuar në vitin 2017 me rreth 10 vite burg për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.
Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.
Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë.
© Panorama.al











