Vrasja në Kamzë, burg pa afat oficerit të Policisë Ushtarake

Jan 6, 2012 | 12:38
Gjykata e Tiranes

TIRANE – Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj një punonjësi të Policisë Ushtarake, i akuzuar për një vrasje të ndodhur në Kamzë më 30 dhjetor 2011. Për të bashkëpandehurin e tij, të akuzuar për përkrahje të autorit të krimit, gjykata caktoi “detyrim paraqitje”. Burime pranë Gjykatës së kryeqytetit bënë me dije se në ditët e para të janarit u paraqit para gjykatës i arrestuari Kujtim Prenga, 41 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake. Sipas Prokurorisë, ai akuzohet për vrasjen e 28-vjeçarit Mandi Prenga mbrëmjen e 30 dhjetorit në një disko në zonën e Kamzës. Referuar akuzës, Kujtim Prenga ka vrarë me armë zjarri shtetasin Mandi Prenga pas një konflikti mes të dyve për motive të dobëta. I dyshuari ishte punësuar si truprojë në derën e diskos pranë së cilës ndodhi ngjarja. Në përfundim të seancës gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për lënien e të dyshuarit Prenga në masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat deri në përfundim të hetimeve. Një tjetër vendim gjyqësor ka liruar nga qelia të arrestuarin Kastriot Balla. Sipas Policisë, Balla, pronar i diskos ku ishte punësuar Prenga, e ka përkrahur këtë të fundit duke e fshehur nga ndjekja e policisë. Për Ballën gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Ai do të hetohet në gjendje të lirë. ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura