
Vrasja me granatë e 43-vjeçares Violeta Mehmeti nga qyteti i Ballshit ka lënë në burg pa afat tre të rinjtë.Seanca gjyqësore për ta u dha dje nga Gjykata e Fierit. Burimet nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier, bëjnë me dije se për të tri shtetasit, është dhënë e njëjta masë sigurie, megjithëse akuzohen për vepra të ndryshme penale. Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, autori i vrasjes së 43-vjeçares, Aleksandër Doko, ka pranuar përpara trupit gjykues veprën penale, ndërsa e ka justifikuar gjithë veprimin kriminal me dashurinë e madhe që kishte për vajzën e çiftit Mehmeti. Doko ka deklaruar se nuk ka pasur si qëllim të kryejë vrasje. “E kam thënë dhe po e përsëris që nuk kam pasur asnjë synim të vras dikë. Unë mendoja që ata do të ishin prindërit e gruas që unë do të merrja dhe kështu do të ishin edhe prindërit e mi. Desha vetëm t’i tremb që mos të më kundërshtonin. Unë e dua vajzën e tyre dhe nuk heq dorë prej saj, edhe pse ndodhi kështu”, mësohet të jetë shprehur i riu 19-vjeçar, i cili ka kërkuar falje për veprën penale. Ndërkohë, edhe dy bashkëpunëtorët e tij kanë pohuar të njëjtën gjë. Ata kanë thënë se ishte e vërtetë që e kishin ndihmuar shokun e tyre, për vetë faktin se e njihnin dashurinë e djalit për 17-vjeçaren me iniciale E.M., e çiftit Mehmeti. Ndërkohë, për sa i përket vendosjes së lëndës plasëse, mekanizmin e kanë shpjeguar në gjyq dy bashkëpunëtorët e Dokos: Xhuljano Lamaj, 19 vjeç, banues në qytetin e Ballshit dhe Ertion Çalaj, 18 vjeç, banues në fshatin Klos të rrethit Mallakastër, kanë pohuar se një granatë të thjeshtë e kishin lidhur me një fije spango që ta tërhiqnin më pas, kur në shtëpi të mos kishte njeri. Ata kanë treguar se dalja e gruas ka qenë e pamenduar dhe ka “prishur” gjithë planin e të rinjve për një trembje të thjeshtë, siç e quajtën ata, duke çuar më pas në këtë tragjedi. Sipas dëshmive të tyre, sapo kanë dëgjuar shpërthimin përpara kohës që e kishin menduar ta bënin, të rinjtë janë larguar me vrap në drejtime të ndryshme. Ata nuk kanë ditur nëse pati viktima, ose jo. Me këtë janë njohur vetëm nëpërmjet lajmeve në televizion. Vetëm pak ditë më parë në lagjen “Gllavenicë” të qytetit të Ballshit, shpërthimi i një lënde plasëse i mori jetën nënës së dy fëmijëve, Violeta Mehmeti. Kjo e fundit sapo doli nga shtëpia u përball me vdekjen e papritur. Pas disa hetimesh për autorët e ngjarjes, për zbardhjen e saj ndikoi dëshmia e vetë vajzës së viktimës. Brenda 12 orësh u arrit të kapej autori i parë dhe dy personat e tjerë që e ndihmuan të largohej.
FIER/ MAJLINDA RAMA











