TIRANE – Juristja e Autoritetit të Konkurrencës, Aurora Trashani, është vrarë nga një person të cilin ajo e ka njohur në rrjetin social Facebook, disa kohë para 2 shkurtit, kur 32-vjeçarja u gjet e vdekur në banesën e saj në Tiranë. Sipas hetimeve nga Prokuroria e kryeqytetit, mësohet se gjatë kryerjes së veprimeve për zbardhjen e vrasjes së Aurora Trashanit, është arritur të gjenden një numër mesazhesh të shkëmbyera mes saj dhe autorit të vrasjes në postën e rrjetit social Facebook. Në lidhje me vrasjen e juristes së Autoritetit të Konkurrencës, policia e Tiranës ka vënë në pranga taksistin Abdein Mulaj, i cili akuzohet se ka transportuar vrasësin nga Rinasi në Tiranë dhe anasjellas para, gjatë dhe pas kryerjes së krimit. “I dyshuari ka ardhur në Shqipëri nga Rinasi një ditë para krimit dhe është larguar në 3 shkurt. Një ditë para ngjarjes, i dyshuari, i cili jeton në Gjermani, i ka telefonuar Abedin Mulajt dhe i ka thënë ta priste në aeroport, kjo pasi ata kanë një njohje 4-5 vjeçare. Abedin Mulaj ka shkuar në aeroport dhe ka marrë të dyshuarin për krimin. Mbrëmjen e kësaj dite, i dyshuari i ka thënë taksistit të shkonte ta merrte pranë Zogut të Zi, vend në të cilin Abedini e ka pritur në makinë pothuajse 30 minuta”, thuhet në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë së taksistit Abedin Mulaj. Sipas hetimeve të Prokurorisë, Aurora Trashani u qëllua 60 herë me thikë në trup dhe më pas banesës së saj iu vu zjarri, me qëllim zhdukjen e gjurmëve të krimit në shtëpinë me qira ku ajo jetonte, në rrugën “Don Bosko”. Sipas hetimeve të Prokurorisë, referuar edhe mesazheve të shkëmbyera mes të dyshuarit dhe viktimës në Facebook, Trashani pak ditë para vrasjes, i kishte komunikuar personit tjetër se donte të shkëpuste marrëdhënien me të. Pasi ka marrë këtë lajm, i dyshuari ka ardhur në Shqipëri nga Gjermania dhe mbrëmjen e 1 shkurtit rreth orës 09:30, ka shkuar në banesën e Aurora Trashanit. Aty dyshohet se mes viktimës dhe vrasësit ka nisur një debat, i cili ka përfunduar me vrasjen e 32-vjeçares. Të nesërmen, ajo u gjet pa jetë, ndërsa banesa ishte djegur. Mjekët ligjore zbuluan plagët e shkaktuara me thikë në trupin e viktimës, ndërsa dy javë më pas ra në pranga taksisti që transportoi vrasësin. Vetë autori i krimit është larguar në Gjermani dhe Prokuroria ka dërguar letërporosi tek autoritetet e këtij vendi, me qëllim ndalimin e tij për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.











