Vrasja e Trashanit, Apeli “arrest me burg” taksistit

Mar 12, 2011 | 13:16

Mulaj është paraqitur në Gjykatën e Apelit dy ditë më parë, ku ka kundërshtuar masën e sigurisë caktuar ndaj tij në 24 shkurt nga Gjykata e Tiranës. Sipas verdiktit të Apelit, Mulaj, i akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit”, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se mbrojtësi i Mulajt i ka kërkuar gjykatës caktimin e një masë me të butë se ajo e “arrestit me burg” për klientin e tij. Para gjykatës, mbrojtësi ka pretenduar se Prokuroria nuk zotëronte provat e mjaftueshme për të vërtetuar dyshimet e arsyeshme mbi fajësinë e të dyshuarit Mulaj. Ndërkohë, nga ana e tij, prokurori ka pohuar se nuk kishte ndryshuar asnjë nga kushtet në të cilat ndodhej Mulaj. Në vijim, Prokuroria ka kërkuar lënien në fuqi të masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë nga gjykata e shkallës së parë për taksistin. Në përfundim të seancës, treshja e gjyqtarëve që mori në shqyrtim ankimin, pranoi kërkesën e përfaqësuesit të akuzës. Ngjarja për të cilën akuzohet si i “përfshirë” Mulaj, u shënua mbrëmjen e 1 shkurtit pranë “Zogut të Zi” në kryeqytet, kur juristja Aurora Trashani është masakruar me thika në banesën e saj. Trupi i saj i pajetë u zbulua të nesërmen, ndërsa nga autori ishte tentuar t’i vihej flaka shtëpisë për të humbur gjurmët e vrasjes. Abedin Mulaj akuzohet nga Prokuroria për transportimin me anë të taksisë së tij të R.V., të dyshuarit të Prokurorisë si autor i vrasjes makabër të Aurora Trashanit, ditën e ngjarjes nga aeroporti i Rinasit në Tiranë, e më pas në banesën e viktimës. Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë në Shkallën e Parë, Mulaj pranoi para gjykatës të kishte transportuar R.V. thjesht si klient.         ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura