Avokati i Lavdërim Tufës kërkoi dje në Gjykatën e Tiranës shpalljen si i pafajshëm për klientin e tij kundrejt akuzës për vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur ndryshe edhe me emrin “Miri i Xhikes”. Pak ditë pas pretencës së Prokurorisë, e cila kërkoi shpalljen fajtor të Lavdërim Tufës, avokati deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm. Në pretencën e avokatit që u paraqit dje në Gjykatë, vend kryesor zinte argumenti se banesa e Lavdërim Tufës në Lundër ndodhet të paktën 4 kilometra larg vendit ku ndodhi vrasja e Mirit të Xhikes tek Kartodromi, më 29 mars 2003. Sipas avokatit, ka dëshmitarë që tregojnë se Lavdërim Tufa ka qenë në shtëpinë e tij duke parë ndeshjen Shqipëri-Rusi që luhej në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, në kohën kur ka ndodhur ngjarja. “Pra, Lavdërim Tufa nuk mund të ndodhej njëherësh edhe në banesën e tij, edhe në vendin e ngjarjes që është 4 kilometra nga shtëpia ku ai jeton”, tha avokati dje në Gjykatë. Tashmë pritet që trupi gjykues të shpallë vendimin për këtë çështje, e cila është sjellë për rigjykim në Gjykatën e Tiranës, pasi është shqyrtuar një herë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e që e pati dënuar Tufën për vrasjen e Mirit të Xhikes më 29 mars 2003.











