TIRANE – Prokuroria e Tiranës po rimerr në pyetje dëshmitarët në përpjekje për të zbardhur rrethanat e vdekjes së këngëtares Elsina Hidershaj, e njohur me emrin e artit si Emmy. Ditën e premte, më 18 mars 2011, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës hetuesit kanë marrë në pyetje tre dëshmitarët kryesorë të ngjarjes. Roja i pub “Venue” është thirrur në Drejtorinë e Policisë ku është rimarrë në pyetje nga hetuesit e prokurorisë për momentin kur ka parë lëvizjen e automjetit të biznesmenit Aziz Kelmendi, ndërkohë që Emmy ishte kapur dhe po mbahej në derën e shoferit. Në polici mësohet se është thirrur edhe vajza që ndodhej me Aziz Kelmendin në makinë në momentin e konfrontimit me këngëtaren 22-vjeçare. Po kështu, hetuesit kanë rimarrë në pyetje edhe një këngëtare nga Kosova, e cila ndodhej atë natë bashkë me Emmy-n në pub “Venue”. Prokuroria e Tiranës konfirmon se akuza për të cilën po hetohet vdekja e 22-vjeçares është vrasje. Gjatë hetimeve në lidhje me ngjarjen mësohet se prokuroria ka marrë në pyetje edhe babanë e këngëtares, shtetasin Ali Hidershaj, në lidhje me dyshimet e shprehura prej tij në media. Burimet nga hetimi i çështjes thanë se për momentin, përveç dy vajzave dhe rojës së parkingut, nuk ka dëshmitarë të tjerë që hedhin dritë mbi ngjarjen. Pak ditë më parë mësohet se në Prokurorinë e Tiranës, avokati i pajisur me prokurë përfaqësimi nga babai i këngëtares, ka kërkuar të njihet me një kopje të dosjes hetimore të prokurorisë në lidhje me ngjarjen. Organi i akuzës ndërkohë tha se po vazhdon hetimet dhe është në pritje të aktit zyrtar të autopsisë mbi shkaqet e vdekjes së këngëtares 22-vjeçare.
Këngëtarja e njohur me emrin Ammy gjeti vdekjen më 27 shkurt pranë pub-it në periferi të Tiranës. Pas mesnate ajo ka dalë nga lokali dhe është afruar te dera e shoferit në makinën e Aziz Kelmendit. Ky i fundit ndodhej në makinë me një vajzë në ndenjësen e pasagjerit. Kelmendi është akuzuar se ka mbyllur xhamin e mjetit duke i zënë duart këngëtares dhe më pas i ka dhënë makinës me shpejtësi për 50 metra duke tërhequr zvarrë 22-vjeçaren. Elsina Hidershaj gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak dy ditë pas ngjarjes, pa arritur të dalë nga gjendja e komas. tr.so
Autopsia
Prokuroria mësohet se është në pritje të aktit të autopsisë mbi shkaqet e vdekjes së 22-vjeçares Elsina Hidershaj. Për shkak të kompleksitetit të çështjes, akti ende nuk ka përfunduar, ndërkohë që burimet nga hetimi thonë se këngëtarja i ka pësuar në kokë dëmtimet fizike që i shkaktuan vdekjen.











