
FIER – “Djali i kërkoi ndihmë të atit që të shkonte ta merrte dhe ta çonte në shtëpi, pasi kishte frikë të shkonte vetëm”. Kështu janë shprehur për grupin e hetimit disa banorë të lagjes “8 Shkurti”, të cilët kanë qenë me viktimën Koli Veshi pak minuta para se ai të vritej në tentativë për të shpëtuar të birin.
“Djali i viktimës, Eni Veshi, kishte dalë për të pirë kafe në lokalin pranë pallatit, ndërsa në një dyqan aty përballë, viktima Koli Veshi po bisedonte si çdo mbrëmje me ne. Në këtë kohë ai ka marrë një telefonatë nga i biri, më pas iku nxitimthi duke na thënë se i biri kishte frikë të kthehej në shtëpi dhe i kërkonte të atit që të shkonte ta merrte”. Kjo ka qenë dëshmia e miqve të 62-vjeçarit, i cili u vra para pallatit të tij nga persona ende të paidentifikuar rreth orës 22:00 të së mërkurës. Bazuar në dëshmitë e dhëna, por edhe në hetimet e kryera, viktima Koli Veshi, ka shkuar për ta marrë me makinë të birin, i cili dyshohet se në atë moment e ka pikasur vrasësin. Sapo kanë parkuar makinën në hyrje të pallatit, 62-vjeçari ka dalë duke mbuluar të birin në momentin kur janë përballur me autorin. Por ky i fundit ka qëlluar në drejtim të tyre. Një plumb i marrë në kokë i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa djali i tij mbeti i plagosur. Mësohet se arma ka qenë me silenciator, çka ka bërë që askush nga fqinjët të mos i dëgjojë të shtënat. Ngjarja është mësuar kur njëri prej banorëve ka zbritur për të hedhur plehrat dhe është përballur me viktimat, njëri pa jetë, ndërsa tjetri në gjendje të rëndë. Sipas burimeve nga urgjenca e spitalit të Fierit, viktima është qëlluar me një plumb në kokë, ndërsa i biri i tij, Eni Veshi, është goditur me plumb në kofshën e majtë dhe është jashtë rreziku për jetën. 62-vjeçari ishte inxhinier nafte me profesion, ndërsa banorët e lagjes pohuan se familja Veshi nuk njihej si problematike. Policia bëri të ditur dje se 13 persona janë shoqëruar, por ende nuk ka të arrestuar dhe asnjë pistë zyrtare për hetimin. Paraprakisht dyshohet se shkak i ngjarjes së rëndë është fakti që një vit më parë, në muajin gusht, djali i plagosur, Eni Veshi, u akuzua se në bashkëpunim me një tjetër person, plagosën dy të rinj. Burime të Policisë bënë të ditur se ngjarja pritet të zbardhet pasi të merret në pyetje 23-vjeçari i plagosur. Por dje ai nuk është marrë në pyetje për shkak se janë duke pritur që të përmirësohet gjendja e tij. m.r











