Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka komentuar vrasjen e magjistratit Astrit Kalaja brenda sallës në Apelin e Tiranës pas dhënies së një vendimi për çështje pronash teksa ishte i pranishëm në Konferencën e Presidentëve të Gjykatave të Larta të Bashkimit Evropian.

Kreu i GJL-së u shpreh se qëndresa dhe integriteti i tyre janë përgjigjja më e denjë ndaj një akti dhune në sallën e gjyqit.
“Mbështetja e gjyqësorit evropian është një kujtesë e fuqishme se integriteti i gjyqësorit është një vlerë e përbashkët. Qëndresa dhe integriteti ynë janë përgjigjja më e denjë ndaj një akti dhune në sallën e gjyqit, si sulm ndaj shtetit të së drejtës”, tha Sadushi, teksa falenderoi të gjithë anëtarët e rrjetit të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të BE-së, për mesazhet e solidaritetit të mbërritura gjatë kësaj periudhe.
Gjithashtu, Kryetari Sadushi, në Sesionin II që iu kushtua rolit të mediave sociale në pavarësinë gjyqësore, në diskutimin e tij përmendi sfidat për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit në epokën dixhitale, ndikimin e dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes në procesin vendimmarrës, si dhe domosdoshmërinë që drejtësia të ndërtojë një zë dixhital të besueshëm, të qetë dhe kurajoz në mbrojtje të integritetit institucional dhe rritjes së besimit të publikut te drejtësia.
Ndërsa kryetarja e Gjykatës së Lartë të Holandës Dineke de Groot, si dhe Kryetari i Parë i Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Francës Christophe Soulard, midis të tjerave, shprehën edhe një herë ngushëllimet për vrasjen tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke vlerësuar dhe mbështetur deklaratën e Kryetarit Sadushi, se drejtësia nuk do të përkulet përballë dhunës.
© Panorama.al











