Vlorë, trageti kthehet nga Libia

Mar 13, 2011 | 11:26

Trageti “Red Star” preku kalatën e portit të Vlorës mëngjesin e djeshëm, pas 9 ditësh mungesë.Gjatë kësaj kohe, pasagjerët dhe agjencitë e udhëtimit u janë drejtuar linjave alternative, kryesisht portit të Durrësit. Tashmë pritet të mbërrijë në port edhe trageti tjetër “Jonian Spirit”, i cili u largua prej 24 shkurtit. Dy tragetet braktisën portin e Vlorës, pasi i pari rezultoi se u largua drejt Libisë, ndërsa tjetri njoftoi se ishte me defekt. Për të dy rastet u pohua se destinacioni ishte Libia, pasi shpërngulja e shtetasve italianë prej andej kishte më shumë përfitim. Kjo situatë solli paralizimin e lundrimit të trageteve në linjën Vlorë-Brindisi dhe anasjelltas. “Red Star” erdhi direkt nga Libia për në portin e Vlorës. Një punonjës shqiptar në këtë traget u shpreh se “prej më shumë se një jave kemi qenë në brigjet e Libisë. Bënim rrugën për në Maltë dhe anasjelltas. Nuk kishim ndonjë avari, por shfrytëzuam gjendjen e tensionuar atje për largimin e personave. Kemi ardhur nga Malta direkt në portin e Vlorës”. Mësohet se përfaqësuesit e “Red Star” kanë kontaktuar dje me struktura të portit dhe kapitenerisë, për shlyerjen e detyrimeve përkatëse. Sipas burimeve, penalizimi për këtë traget është 300 euro në ditë. Ende nuk dihet se çfarë masash do të ketë për “Jonian Spirit”, i cili nuk është dukur në port që prej 15 ditësh, duke kaluar afatet ligjore që përmban kontrata. Sipas burimeve, do të rishikojnë kontratën me këtë traget të linjës me Italinë. Dy ditë më parë, shqetësimin për mungesën e trageteve e përcolli edhe prefekti i Vlorës, Eduart Velcani. Ai u shpreh se mosfunksionimi i linjës së trageteve me Italinë ka shkaktuar probleme jo vetëm për pasagjerët, por edhe për shumë subjekte në Vlorë. Gjithashtu, Velcani kërkoi që të merren masa sanksionuese deri në pezullimin e të drejtës së transportit të këtyre operatorëve. Në këtë mënyrë, sipas tij do t’u jepej mundësia operatorëve të tjerë për të operuar në portin e Vlorës. Ndërkohë, dje janë larguar mjaft qytetarë drejt Italisë. Nga porti i Vlorës janë nisur rreth 350 pasagjerë dhe disa automjete. Burime nga drejtoria e portit bënë të ditur se edhe në Brindizi janë prenotuar shumë bileta për t’u imbarkuar në këtë traget. Sot në portin e Vlorës pritet një fluks i madh si me pasagjerë, rreth 700-800, ashtu dhe me automjete, qofshin ato të vogla, apo dhe kamionë.

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura