Vlorë, shahet FSHF-ja, stop ndeshjes

Mar 21, 2011 | 10:14

Në ndeshjen e djeshme nuk ka munguar tensioni, i cili ka ardhur nga shkallët e stadiumit, si pasojë e thirrjeve në kor të tifozërisë vlonjate. Pas golit të dytë të Prognit, ultrasit kuqezinj kanë nisur të ofendojnë në kor FSHF-në dhe drejtuesit e saj. Në këtë moment, kryesori i takimit, Edvin Hoxha, ndërpreu ndeshjen, duke i kërkuar kapitenit Veliu që të qetësonte tifozët. Por, kjo gjë ka acaruar akoma edhe më shumë tifozërinë vlonjate, e cila i kërkonte arbitrit të takimit të vazhdonte lojën. Madje, edhe stafi teknik është ngritur në këmbë, duke qenë kundër këtij vendimi të gjyqtarit. Më pas, presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka zbritur nga tribuna VIP dhe ka shkuar në tavolinën e delegatit të federatës, Vasillaq Zëri. Kreu i klubit vlonjat i ka kërkuar Zërit shpjegim, se pse gjyqtari ndërpreu ndeshjen. Ndërprerja e lojës dhe ky debat zgjati vetëm dy minuta. Situata u qetësua dhe ndeshja vazhdoi normalisht.

© Panorama.al

Te lidhura