Vlore: Luanin me domino poshtë pallatit, 1 vritet, tre plagosen

Nov 7, 2011 | 12:06
Viktima në vendin e ngjarjes

Përgjaket në Vlorë festa e Kurban Bajramit. Një person është vrarë dhe tre të tjerë mbetën të plagosur pas një konflikti që nisi fillimisht me fjalë, më pas me përdorimin e mjeteve të forta e deri me armë zjarri. Burime të Policisë bënë të ditur se autori është 39-vjeçari Altin Leskaj, i cili pas debatit me katër persona të cilët i bënin zhurmë poshtë pallatit teksa ata luanin me njëri-tjetrin, ka qëlluar me armë duke shkaktuar edhe ngjarjen e rëndë. Për pasojë, mbeti i vdekur në vend Niko Mataj, 37 vjeç dhe u plagosën tre të tjerë, Zaim dhe Arben Çela, vëllezër, si dhe Elidon Aliaj.
Burime të Policisë bënë të ditur se viktimat kanë qenë duke luajtur domino poshtë njërit prej pallateve të lagjes “Isa Boletini”, kur Altin Leskaj, i cili banonte në këtë pallat ka dalë dhe është përfshirë në debate me ta. “Ju kam thënë 100 herë mos bëni zhurmë dhe ju përsëri bërtisni, duke shqetësuar banorët e pallatit”. Kështu mësohet se iu është drejtuar autori viktimave të tij para se t’i qëllonte me armë. Njërit prej tyre, për të cilin Leskaj mendonte se bënte zhurmë të tepërt, e ka marrë mënjanë duke ushtruar dhunë ndaj tij, madje sipas dëshmitarëve, e ka detyruar të zhvishej. Në këtë kohë, në ndihmë të tij kanë shkuar shokët me të cilët po luante domino. Por sherri ka marrë përmasa më të mëdha. Autori i krimit është përfshirë në sherr me të katër personat, duke u përplasur fizikisht, madje duke u qëlluar me sende të forta. Nga përplasja është thyer dhe një xham makine që ishte parkuar para pallatit. Kur viktimat kanë parë se Leskaj kishte armë me vete, ata kanë marrë sende të forta për t’u vetëmbrojtur dhe qëlluar autorin. Por gjatë përleshjes, 39-vjeçari nxori armën duke lënë të vdekur në vend shtetasin Niko Mataj, si dhe duke plagosur tre të tjerët. Pas krimit ai është larguar menjëherë, ndërsa në vendin e ngjarjes i ka rënë krehri i fishekëve që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. 30 minuta pas krimit të rëndë, policia e Vlorës arriti të arrestonte autorin, ndërsa iu sekuestrua edhe arma.

Pallati ku ndodhi vrasja në lagjen “Isa Boletini”

“I qëllova për vetëmbrojtje. Unë shkova për t’u sqaruar me ta dhe për t’u thënë se po bënin zhurmë. Na shqetësonin vazhdimisht duke luajtur domino. Ata më sulmuan, dhe në gjaknxehtësi e sipër ndodhi gjithçka”. Kështu mësohet se është shprehur pas krimit të rëndë autori 39-vjeçar. Persona të ndodhur në vendngjarje kanë transportuar për në spital të plagosurit. Burime spitalore bënë të ditur se gjendja e tyre është e rëndë. Njëri ndodhet në gjendje më kritike për shkak se plumbi e ka prekur në kokë. Në vendngjarje është gjetur një krehër me fishekë pistolete dhe disa mjete të forta, si çekan, çelësa mekanikë, si dhe një hekur, mjete të cilat mendohet të jene përdorur në sherr mes palëve.
Sipas burimeve të Policisë, sherri në lagjen “Osman Haxhiu”, ka ndodhur për motive banale. Të katër personat luanin në katin e parë të pallatit ku banonte dhe autori i krimit. Ky i fundit ka shkuar për tu kërkuar personave që luanin domino të mos bërtisnin kur luanin, por më pas gjithçka ka degjeneruar në sherr dhe dhunë mes tyre, duke arritur deri në përdorimin e armës nga autori.

VIKTIMAT
I vrarë

Niko Mataj             37 vjeç

Të plagosur
Zaim Çela             33 vjeç
Arben Çela             42 vjeç
Elidon Aliaj             27 vjeç

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura