Zbulohen autorët e vrasjes së oficerit të Policisë së Vlorës, Roland Likaj, i ekzekutua në detyrë në tetor të vitit të kaluar.Lajmi është bërë i ditur dje nga zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçaj, i cili njoftoi arrestimin e tre të dyshuarve për vrasjen e policit në Vlorë. Të tre të dyshuarit janë persona me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje të përsëritura. Vrasja e oficerit Agron Likaj, më 18 tetor 2010, dyshohet të ketë ndodhur në momentin kur tre të arrestuarit po përgatiteshin për të kryer një vjedhje në afërsi të lagjes “Çole” në Vlorë. Frika se do të zbuloheshin nga policia, dyshohet se ka qenë shkak i reagimit të tre të skeduarve në dhjetëra vjedhje. Mësohet se një prej autorëve, Jetnor Nakoleci, i cili ka pasur edhe një pistoletë me vete, ka qëlluar me një plumb në kokë oficerin 46-vjeçar. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, vrasja është kryen në bashkëpunim nga tre të dyshuarit, Jetnor Nakoleci, Saleo Stojani, dhe 17-vjeçarin me iniciale E.Z., persona me precedentë të përsëritur penalë në krimet kundër pronës. Tre të arrestuarit kanë rastisur në Vlorë ditën e ngjarjes, pasi Nakoleci kishte gjyshen me banim në lagjen “1 Maji” dhe vizitën në shtëpinë e saj e ka shfrytëzuar edhe për të vjedhur, bashkë me dy shokët e tij. Në veprim e sipër për të realizuar grabitjen e radhës, ata kanë rrezikuar të zbuloheshin dhe të arrestoheshin nga oficeri Roland Likaj dhe për këtë arsye kanë vendosur ta ekzekutojnë.
TE ARRESTUARIT
Operacioni i sektorit të Krimeve të Rënda të Policisë së Shtetit, i koduar “Shtegtari”, identifikoi dhe arrestoi autorët e vrasjes së oficerit të Policisë së Vlorës, Roland Likaj. Njëri prej të dyshuarve, Saleo Stojani është person i skeduar me qindra herë nga policia për vjedhje, që kur ishte në moshë të mitur. Së fundmi, ai ndodhet në burg ku po kryen dënimin me 20 muaj heqje lirie, për disa vjedhje të kryer në Korçë, ku është arrestuar 2 muaj pas vrasjes së policit Likaj. Bashkëpunimi në vrasjen e oficerit të policisë, është zbuluar duke përdorur metodat speciale të hetimit, gjurmime dhe përgjime nga oficerët e grupit hetimor. Detajet e vrasjes së oficerit Likaj, janë zbuluar disa ditë më parë, nga bisedat që kryente gjatë përgjimeve Jetnor Nakoleci, i cili rezultoi të jetë personi që ka shkrepur pistoletën. Nakoleci, u arrestua në Tiranë rreth dy javë më parë, pasi kishte kryer një vjedhje në Laprakë.
VRASJA
Duke qenë një prej personave që ishte futur “në rreth” nga ana e grupit hetimor për vrasjen e policit, u vendos ndjekja penale e tij e 25-vjeçarit Jetnor Nakoleci në gjendje të lirë, pas arrestimit për vjedhje, dy javë më parë në Tiranë. “Liria” e tij ka shërbyer për grupin hetimor për të dokumentuar gjithçka ai kishte kryer në Vlorë, bashkë me dy miqtë e tij. Gjatë gjurmimit, përgjimit dhe verifikimit të veprimeve e adresave, policia mundi të provonte autorësinë e tyre në vrasjen e policit Roland Likaj. Tre të dyshuarit mësohet se kanë pranuar autorësinë e tyre në vrasjen e Roland Likajt, duke e justifikuar me frikën se do t’i zbulonte dhe do t’i arrestonte. Ndërsa nuk kanë dhënë shpjegime për armën e krimit, që sipas tyre kanë harruar se ku e kanë fshehur, menjëherë pas vrasjes.
TE ARRESTUAR
1. Jetnor Xhevahir Nakoleci,
25 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje
2. Saleo Arben Stojani,
18 vjeç, aktualisht i dënuar me 20 muaj burg për vjedhje
3. E.Z.,
17 vjeç, i proceduar disa herë për vjedhje
Akuzat
“Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të kryer në bashkëpunim”
“Armëmbajtjes pa leje”
Dekonspirimi” i autorëve
Dyshimet se tre hajdutët, tashmë të identifikuar edhe si vrasës, kishin ekzekutuar oficerin e policisë Roland Likaj, kanë nisur disa ditë pas ngjarjes, fillimisht nga Policia e Vlorës dhe e Korçës. Autori kryesor i ngjarjes, ai që ka shkrepur armën, Jetnor Nakoleci, kishte mbërritur në Vlorë më 16 tetor 2010, dy ditë para vrasjes së policit dhe bashkë me dy miqtë e tij, bashkëpunëtorë në vjedhje, Saleo Stojanin dhe 17-vjeçarin E. Z., kanë qëndruar në shtëpinë e gjyshes së Nakolecit. Pasi kanë kryer krimin, ata janë kthyer me nxitim në shtëpinë e gjyshes, pasi i kishte zënë paniku për ngjarjen dhe kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin me zë të lartë, aq sa gruaja e moshuar është zgjuar nga gjumi dhe ka dëgjuar një pjesë të debatit. Gruaja ka dyshuar kur ka parë tre të rinjtë, duke ndërruar rrobat dhe më pas i kanë thënë që duhej të largoheshin me shpejtësi drejt Tiranës. Ajo u ka treguar prindërve të Nakolecit në Korçë, se çfarë kishte dëgjuar natën kur bisedonin 3 autorët. Këto kanë qenë sinjalet e para të policisë, që përdori më pas gjurmimin dhe përgjimin për të zbuluar autorët.
Oficeri Roland Likaj u tregoi vrasësin kolegëve në radio
VLORE – Roland Likaj, ish-komandant i Patrullës së Përgjithshme në Vlorë, u qëllua me një plumb pas kokë rreth orës 02:30, të datës 18 tetor 2010 në një rrugë gjysmë të ndriçuar të lagjes “Çole”. Oficeri mundi të tregonte disa nga detajet pak minuta para se të ndërronte jetë kur kolegët e tij mbërritën në vendin e ngjarjes. Ai u kishte pohuar policëve se ishte qëlluar me armë nga një i ri. Tre policët e patrullës, që sapo ishin ndarë me të, kanë qenë dhe dëshmitarët e momenteve të fundit të jetës së oficerit 46-vjeçar. Babai i dy fëmijëve u gjet vetëm 15 minuta më vonë, pa asnjë shenjë jetë në makinën e tij private. “Pranë 4-katësheve në lagjen “Çole”, është një person i dyshuar, veshur me të zeza, që po fshihet nëpër errësirë. Hajdeni urgjent”. Këto kanë qenë fjalët që oficeri u ka thënë në radio kolegëve të tij para se të përballej i vetëm me grabitësit. Ky komunikim rezulton të jetë kryer pas orës 02:30 të mëngjesit. Roland Likaj kishte kryer shërbimin në mesnatë me mjetin e policisë, ku ndodhej bashkë me 3 efektivë të tjerë të Rendit të Vlorës. “Po patrullonim afër gjykatës, kur ai na tha se po ndalonte e po lëvizte me makinën e tij private, që e kishte lënë pranë. Na ndau detyrat dhe na tha se për çdo shqetësim do të flisnim në radio e telefon”, thanë pas ngjarjes kolegët e tij. “Pasi ka marrë makinën e tij “Benz”, është larguar për në lagjen “Çole”. Atje ka patrulluar të gjithë lagjen e na ka komunikuar me radio se po shihte pranë zonës së njohur si 4-katëshet, një person të dyshimtë, veshur me të zeza dhe që rrinte në një pjesë jo të ndriçuar mirë. Pak sekonda më vonë, na kërkoi në telefon që të shkonim me shpejtësi atje për ta verifikuar. Më pas shkëputëm çdo lidhje me të. Kemi kërkuar në radio dhe në telefon, por s’është përgjigjur më. Kontrolluam gjithë zonën shumë të shqetësuar dhe pas disa minutash, kemi gjetur makinën e tij të ndaluar dhe xhamin e shoferit të ulur. Rolandi ishte i mbështetur në timonin e makinës. Një plumb në kokë pas veshit të majtë, na lajmëroi për vrasjen e tij”, kanë dëshmuar kolegët e grupit të gatshëm.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











