Vlorë, falsifikonin pasaportat biometrike, arrestohen dy persona

Jan 25, 2012 | 12:05
Policia e Vlorës

VLORE – Falsifikonin pasaporta biometrike për persona në kërkim, arrestohen dy persona në Vlorë, një tjetër në kërkim. Mbrëmjen e djeshme, strukturat e Hetimit të Krimit Financiar në Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, arrestuan në flagrancë shtetasit: Alfred Gucaj, 29 vjeç, si dhe Viron Pasha, 49 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur Arjanit Ismailaj, 48 vjeç. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, arrestimi është bërë në bazë të provave të grumbulluara, si dhe nga një sërë veprimesh hetimore me metoda speciale, prej të cilave ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin falsifikime të ndryshme dokumentesh zyrtare dhe pasaportash biometrike. “Këta shtetas kryenin aktivitetin e paligjshëm së bashku, mbi bazën e porosisë së shtetasve të shpallur në kërkim nga Policia, të cilët kanë qenë me precedentë penalë. Kundrejt shumave të konsiderueshme, siguronin dokumentin e porositur, si: pasaportë biometrike, kartë identiteti ose leje drejtimi, duke i blerë ato nga qytetarë të thjeshtë dhe më pas i falsifikonin duke i ndryshuar të dhënat e gjeneralitetet”, pohoi zëdhënësi i Policisë, Dionis Dulaj. Në momentin e arrestimit në flagrancë dhe kontrollit në banesat e tyre i gjetën dy pasaporta biometrike, një kartë identiteti, dy leje drejtimi automjetesh, kompjuterë, një pajisje elektronike për prodhim vulash dhe stampash të ndryshme etj. Të tre personat do të akuzohen për “falsifikim dokumentesh” dhe “falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, të kryera në kushtet e bashkëpunimit. q.b

© Panorama.al

Te lidhura