VLORE: Divorcohet, i vë flakën makinës së ish-vjehrrit

Jan 6, 2012 | 10:55

VLORE- I vë flakën makinës së ish-vjehrrit, policia shpall në kërkim 27-vjeçarin. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Xhamia” në qytetin e Vlorës, në orët e mbr-ëmjes të së mërkurës. Pronari i mjetit tip “Fiat”, më targë VL 4921 C, ka konstatuar se i riu po hidhte lëndë djegëse benzinë mbi automjetin e tij. Ai njoftoi sallën operative, por ndërkaq personi kishte arritur t’i vinte flakën mjetit dhe të largohej me shpejtësi. Pronari i saj, shtetasi F.M., 45 vjeç, ka ndërhyrë me mjetet rrethanore, duke bërë të mundur fikjen e zjarrit. Policia mbërriti në vend dhe konstatoi se automjeti ishte djegur në pjesën e parakolpit dhe  kofanos. Në vendngjarje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një valixhe dhe një bidon plastik me të cilin është marrë lënda djegëse benzinë. Pas dëshmisë së dhënë nga pronari i mjetit të dëmtuar, rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi Gentian Seraj, 27 vjeç. Ai ishte në proces divorci me vajzën e 45-vjeçarit, madje e kishte kërcënuar këtë të fundit nëpërmjet telefonit se do të hakmerrej ndaj tyre. Tashmë i riu akuzohet për “shkatërrim të pronës me zjarr”, “përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, si dhe “kanosje”.              q.b

© Panorama.al

Te lidhura