Shtyrja e procesit të regjistrimit në Shqipëri krijoi një lloj hapësire reflektimi për qeverinë, gjithmonë nëse ajo do të reflektojë mbi idetë e saj të paqarta. Dhe qeveria maqedonase e shtyu procesin dhe zëra autoritarë në Kosova kërkuan edhe atje shtyrjen dhe saktësimin e metodologjisë së regjistrimit, duke lavdëruar reagimin e elitës sonë kulturore. Reflekton ose jo qeveria, deri në vjeshtë kemi hapësirë për të thënë diçka. Po nisemi nga idetë e gabuara të njerëzve të qeverisë, nga premtimet dhënë Greqisë, dhe nga problematika që mund të prodhojë formulari i regjistrimit, publikuar prej autoriteteve.
Në krye të herës, duhet thënë se nga shtetet më të zëshëm për regjistrimin e shtetasve shqiptarë është shpallur Greqia. Ky shtet ka organizuar një fushatë publike në territorin tonë, duke përdorur madje dhe referenca nacionaliste, historike të Luftës së Parë Botërore. Ishte një periudhë kur andartët grekë kanë bërë masakra të tmerrshme në jug të Shqipërisë, para të cilave nuk heshti shtypi botëror, i cili asokohe ka pasur shumëçka me se të merrej. Në reagimin grek, të kulmuar me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, praktikisht konfirmohet një pohim shqetësues: Greqia e konsideron çështjen e regjistrimit aq të rëndësishme, në strategjinë e saj në Shqipëri, sa nuk e vret mendjen për dëmtimin e imazhit të saj mes shqiptarëve, një shqetësim konstant i këtij shteti. Ky dëmtim prej mobilizimit të opinionit, në nivele të ndryshme do të krijonte në vend një klimë të fuqishme antigreke, jo e shëndetshme për investimet greke, apo për avancimin e axhendës së saj historike në Shqipëri. Kjo e bën shqetësues qëllimin e Greqisë, ndaj diçka duhet ndryshuar në reagimin tonë kombëtar. Shtetëror dhe publik.
Së dyti, çështja për të cilën Greqia u bë më e zëshme- konsulli grek i Korçës bëri provokimin më të rëndë- lidhet me vllehët. Dhe, ndërsa grekët reaguan, shteti rumun heshti. Kushdo e kujton se Rumania reagoi për herë të parë publikisht nëpërmjet Presidentit Basesku në Tiranë, për dhënien e statusit të pakicës, arumunëve, apo vllehëve të Shqipërisë. Pse Rumania heshti ndaj provokimit grek, kjo nuk do të thotë se ajo do të heshtë kur në përgjigje të rubrikës ekzistuese në formularin e regjistrimit mund të ketë një numër të vetëdeklaruarish si vllehë edhe më të madh se grekët. Me shumë gjasa, minoriteti kulturor apo gjuhësor arumun është më i madh se ai grek. Dhe kështu, lufta pas regjistrimit në fakt do të shndërrohet në luftë për arumunët.
Pse do të ndodhë kjo? Nëpërmjet kualifikimit preferencial në formular të disa përkatësive si grek, arumun etj, duket sikur këto autoritete kanë diferencuar grekët nga vllehët, por në realitet, askush nuk do t’i pengojë as grekët, as rumunët, t’i konsiderojnë këta individë si pjesëtarë të pakicës së tyre. Gabimi është se, pa asnjë lloj kriteri shkencor, vllehët, grekët, etj, janë konsideruar njëlloj. Po çfarë janë konsideruar? Pakica etnike? Kulturore, gjuhësore? Ka një dallim të madh mes tyre, dhe këtë dallim ne nuk mund ta përcaktojmë me një vendim administrativ të një ofiqari tonë, megjithëse ai mund të jetë historian.
Kemi mbërritur tek thelbi i problemit. Pa asnjë përkufizim, as në legjislacionin tonë, as në atë ndërkombëtar, por me vendim ofiqarësh ne kemi futur në procesin e regjistrimit një koncept të ri ligjor; atë të përkatësisë etnike, e cili nuk përkufizohet as në Kushtetutë. Atëherë, si do ta zgjidhin këtë dilemë regjistruesit e papërvojë anembanë Shqipërisë?
Në një përpjekje për t’i dhënë një zgjidhje pajtuese problemit, midis pozicionit të atyre që e konsiderojnë “deklarimin e përkatësisë etnike”, si një “e drejtë kushtetuese” dhe pozicionit të atyre që janë shqetësuar nga regjistrimi, duhet ndërmarrë një iniciativë ligjore. Nëpërmjet një ligji në Parlament për regjistrimin, pas një procesi debati publik, të përkufizohet koncepti i përkatësisë etnike. Të ndryshohet metodologjia e përpunimit të rezultateve të regjistrimit. Si bazë mund të shërbejë vetëdeklarimi (na nevojitet për arsye statistikore dhe numri i atyre që deklarohen grekë apo jo shqiptarë), por autoritetet kompetente, një komision i pavarur, të shqyrtojë në dokumentacionin objektiv përkatësinë etnike reale të dikujt nisur nga vetëdeklarimi. Dhe vetëm atëherë mund të kemi të dhëna të sakta, duke u mbështetur në një model regjistrimi Perëndimor, ndoshta atë amerikan. Kjo është rruga më e drejtë, dhe koha është tani. Kështu, zgjidhja që ne do t’i jepnim këtij problemi, do ishte plotësisht sovrane, dhe realiste. Miqtë tanë të vërtetë dhe të rremë, të bënin ç’të donin pastaj.
© Panorama.al












