Xhevahir Sukaj është një nga lojtarët më në formë aktualisht te Vllaznia, ku së bashku me Sinanin e rikthyer në gjendjen e tij më të mirë dhe me Vajushin, kërkojnë ta rikthejnë ekipin e tyre te rezultatet pozitive. Sipas tij, Vllaznia ka forcat e duhura që këtë vend ta ruajë deri në fund, pavarësisht lëkundjeve të momentit. “Nuk shikoj të ketë një ekip më të mirë nga ne për të qenë në Kupat e Evropës dhe që të na rivalizojë në këtë drejtim. Ne gjithçka ia vështirësuam vetes, por do të jemi po ne ata që do ta zhbëjmë këtë”, vijon ndër të tjera sulmuesi. Sukaj po kalon një periudhë mjaft të mirë me ekipin e Vllaznisë. Pavarësisht se vinte nga një shkëputje dhe jo në formën e duhur, ai menjëherë është përshtatur me pjesën tjetër të grupit dhe është bërë protagonist me tetë golat e shënuar në 9 takimet ku është aktivizuar. Megjithatë, java që shkoi nuk ka qenë fort e mirë për shkodranin, të cilin e kanë shoqëruar sërish problemet. Gjithsesi, ai është rikthyer në stërvitje dhe ndihet i gatshëm për ekipin.











