Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë dy ditore në Athinë të Greqisë.

Ministrja është pritur në një takim nga presidenti grek Konstantinos Tasoulas, teksa shprehet se ndihet e nderuar nga pritja miqësore që i është bërë. Duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, ajo thekson se thelbi qëndron edhe te mbështetja e vendit fqinj ndaj Shqipërisë në rrugën që po ndjek drejt Bashkimit Evropian.
“Athinë – E nderuar për pritjen miqësore nga Presidenti i Republikës Helenike, Konstantinos Tasoulas, për vlerat e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë, mbi të cilat janë ndërtuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Mbështetja për integrimin europian të Shqipërisë qëndron në zemër të marrëdhënieve tona dhe Shqipëria beson se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane, si investim thelbësor në të ardhmen e Europës.”, ka shkruar ministrja.
Më vonë, ditën e sotme, Spiropali do të takohet edhe me homologun e saj George Gerapetritis, ku fokusi i diskutimeve do të jetë forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, çështjet e mbetura pezull me frymën e mirëkuptimit mes palëve, ndërsa më pas do të mbajnë edhe një deklaratë të përbashkët për shtyp rreth orës 14.30.
Në ditën e dytë të vizitës së saj, Spiropali do të takohet me ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias. Po ashtu ditën e nesërme është parashikuar një takim edhe me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
© Panorama.al














