PRISHTINE- Hetimet për skandalin e naftes ‘Virgin’ shtrihen edhe ne Kosovë. Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, ka konfirmuar se ka nisur procesi i grumbullimit të informatave para se të nisë një hetim, duke pranuar se nuk ka ende nje kerkese nga shteti shqiptar.
“Jemi duke grumbulluar informatat e nevojshme për të parë nëse ka arsye të fillojmë hetimet për këtë çështje”, ka thënë Stavileci, cituar nga “Koha Ditore”.
Mediat në Shqipëri kanë raportuar se hetuesit do të kërkonin informacione nga Doganat e Kosovës për hetimet që janë duke u bërë. Mirëpo, Stavileci ka sqaruar se deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë nga shteti shqiptar.
“Doganat e Kosovës nuk kanë pranuar kërkesë zyrtare për të asistuar apo ofruar informacione, të cilat mund të ndihmonin në hetimin e tyre”, ka thënë zëdhënësi i Doganave.
Ndërkohë Ramadan Buzhala, drejtor i Zyrës së licencimit në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, ka thënë se deri tani nuk kanë pranuar ndonjë informacion se ka hyrë ndonjë naftë e tillë në Kosovë. Ai thotë se laboratori për kontrollin e naftës në pikat kufitare dhe Doganat janë përgjegjëse për naftën që hyn në Kosovë dhe cilësinë e saj.
“Në secilën pikë kufitare laboratori bën kontrollin e cilësisë për secilën ngarkesë. Përgjegjëse është edhe Dogana. Këto janë rrugët legale, ndërsa për mënyrat e tjera të hyrjes së naftës në Kosovë ato nuk mund t’i dimë”, ka thënë Buzhala, dhe ka shtuar se deri më tani nuk ka ndonjë informatë se një naftë “virgin” të ketë hyrë në Kosovë.
“Përderisa nuk reflekton se ka hyrë ndonjë naftë e tillë ose nëse nuk kemi pranuar ndonjë të dhënë nga Dogana apo Laboratori, nuk mund të nisim ndonjë hetim.”
Valdet Teneqja, përgjegjës në laboratorin “Derivati”, që bën kontrollin e naftës në pikat kufitare, ka shpjeguar se laboratori bën kontrollin e naftës nëse i përmban specifikat dhe i krahason me vlerat e lejuara në Kosovë. Teneqja ka thënë se laboratori pas kryerjes së analizës i jep rezultatet e Doganës.
“Rezultatin e kontrollit të naftës e dërgojmë tek Dogana, që është organ ekzekutiv dhe vendos nëse nafta duhet të hyjë në Kosovë apo jo. Të njëjtat rezultate i dërgojmë edhe në Inspektoratin e Tregut, që është në kuadër të MTI-së”, ka thënë Teneqja.
Fisnik Kaliqani shef i financave në “Kulla Exim”, rafineria që vepron në Kosovë dhe që ka të drejtë të importojë naftë të papërpunuar, ka thënë se tash e katër vjet nuk punojnë me naftë “virgin”. Kaliqani ka thënë se “Kulla Exim” punon me lëndën e parë, të papërpunuar që emërtohet si “gazoil industrial” dhe “petrolium për përpunim”.
“Me përpunimin e ‘gazoilit industrial’ përfitohet nafta, e cila shitet pastaj në tregun kosovar. Kurse ‘petroliumi për përpunim’ përdoret për përfitimin e vajit solar, për nxehje për fabrika, që është një lloj i mazutit”, ka thënë Kaliqani.
“Kulla Exim”, sipas tij, nuk bën importimin e naftës së papërpunuar nga Shqipëria, por nga tregu i Bullgarisë dhe nga Greqia.
Kurse pronari i firmës “Dilloni Benz”, Fadil Berjani, ka thënë se më shumë naftë me cilësi të dobët është duke hyrë nga Mitrovica.
“Tashme janë formuar institucionet e Kosovës dhe besoj se Ministria e Tregtisë do të ndërmarrë masa në ndaljen e kontrabandës nga veriu i Kosovës, kontrollin e rreptë të cilësisë. Gjithashtu do të ishte mirë që të fillohet të aplikohet euro-dizeli”, ka thënë Berjani.
Por sa i përket tregut të naftës, ai ka dyshimet se është duke u shfrytëzuar për pastrim parash.
“Shumë kompani që merren me pastrim parash janë duke i shitur derivatet nën çmimin e furnizimit dhe kjo duhet të hetohet nga institucionet tona”, është shprehur pronari i kompanisë “Dilloni Benz”.
Nafta “virgin”, sipas medieve shqiptare, nuk shitet në tregun e vendit, pasi nuk shërben për asgjë, përveçse për të prodhuar benzinë, që në kushtet teknike është e pamundur.
“Virgin” është një nënprodukt nafte, që del nga sasia bruto e prodhimit, me synim për t’u bërë benzinë.











