Burime nga organi i akuzës thanë, se pak ditë më parë, avokatët e ish-zyrtarit të Ministrisë së Ekonomisë, janë paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme. Ata kanë kërkuar sqarime në lidhje me pozitën penale të klientit të tyre, në kuadër të hetimit që po zhvillohet ndaj ish-ministrit Dritan Prifti, për akuzën e “korrupsionit pasiv”, të ngritur pas zbulimit të videos së fshirë nga kompjuteri i tij. Në këtë video të regjistruar në banesën e Dritan Priftit në katin e dhjetë të një pallati në zonën e Liqenit Artificial, Prifti duket se merr rreth 70 mijë euro nga një person i identifikuar si ish-zv.ministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri. Avokatët e tij gjatë qëndrimit në Prokurori, mësohet se janë njoftuar nga grupi hetimor, se Leonard Beqiri duhet të paraqitet në Prokurorinë e Përgjithshme javën e ardhshme për të dhënë shpjegime. Në datën 11 mars 2010, rreth orës 17:00, ai është filmuar nga Dritan Prifti teksa i dorëzonte ish-ministrit të Ekonomisë shumën prej 70 mijë euro në banesën e tij në Tiranë. Pak ditë më parë, gjatë deklarimit të dorëheqjes së tij nga detyra e drejtorit të Metrologjisë, ish-zv.ministri Leonard Beqiri deklaroi, se do të paraqitej me vullnetin e tij në Prokurori për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, Prokuroria duket se qëndroi në pritje të autorizimit të Kuvendit për të hetuar ish-zv.kryeministrin Meta dhe ish-ministrin Prifti. Pas vendimit të Kuvendit, duke qenë se dëshmia e Leonard Beqirit ka të bëjë me fajësinë e Dritan Priftit, Prokuroria ka vendosur marrjen e dëshmisë nga ish-zv.ministri.
Hetimi
Prokuroria e Përgjithshme mori në hetim dosjen e video-përgjimit Meta-Prifti, për shkak se personat e përfshirë ishin me imunitet. Pas një hetimi 20-ditor në organin qendror të akuzës, ku u morën në pyetje paraprakisht ish-zv.kryeministri Meta dhe ish-ministri Prifti, Prokuroria e Përgjithshme dërgoi për ekspertim tek një specialist amerikan, kameran, kompjuterin dhe orën përgjuese të përdorur nga Dritan Prifti, në zyrën dhe në banesën e tij. Gjatë ekspertizës, në kompjuterin që Prifti kishte dorëzuar në prokurori, u rikuperua një video e cila ishte fshirë dhe ishte tentuar të zhdukej, por që kishte mbetur në memorien e kompjuterit. Më datën 11 shkurt, eksperti amerikan dorëzoi raportin e tij në Prokurorinë e Përgjithshme. Organi qendror i akuzës, pasi shqyrtoi materialet që përmbante videoja e dytë e gjetur në pajisjet e Dritan priftit, ngriti ndaj tij akuzën e korrupsionit pasiv, pasi dukej se ai kishte marrë 70 mijë euro nga një person, që u identifikua të ishte ish-zv.ministri i Ekonomisë Leonard Beqiri.
TRAZHGIM SOKOLAJ











