TIRANE- Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti është paraqitur sërish në Prokurorinë e Përgjithshme, në cilësinë e personit në hetim për akuzën e korrupsionit pasiv. Prifti ka mbërritur në Prokurori gjatë paradites ku po i nenshtrohet marrjes ne pyetje nga ana e prokuroreve per videon e dyte, ate te 70 mije eurove, qe u rikuperua nga eksperti amerikan ne kompjuterin e ish kreut te METE-s.
Procedimi penal ndaj Dritan Priftit filloi në datën 9 shkurt 2011, pasi në Prokurorinë e Përgjithshme u dorëzua një video e dytë e gjetur në kompjuterin e ish-ministrit, gjatë ekzaminimeve të kryera për përgjimin Meta-Prifti. Eksperti amerikan theksoi në raportin e tij se kishte rikuperuar një video të fshirë nga kompjuteri portabël i Dritan Priftit. Videoja e datës 11 mars 2010, në të cilën shfaqeshin dy burra teksa bisedonin dhe këmbenin një shumë rreth 70 mijë euro, ishte në fakt pjesa e dytë e përgjimit të kryer nga Dritan Prifti në zyrën e tij ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Prokuroria e Përgjithshme, pasi verifikoi videon e gjetur nga specialisti amerikan, identifikoi dy personat që paraqiteshin në të.
Ata ishin Dritan Prifti dhe zëvendësi i tij në Ministrinë e Ekonomisë, Leonard Beqiri. Videoja ishte regjistruar nga vetë Prifti, në 11 mars 2010, rreth orës 17:00, me të njëjtat pajisje që ish-ministri kishte përgjuar një ditë më parë bisedën me Ilir Metën. Duke qenë se videoja ishte autentike dhe jo e manipuluar, Prokuroria vendosi fillimin e procedimit penal ndaj Dritan Priftit, me akuzën e korrupsionit pasiv. Pas heqjes së imunitetit nga Kuvendi, organi i akuzës nuk ka pengesa për procedurat e hetimit ndaj ish-ministrit. Atij i është kërkuar që ditën e sotme të paraqitet në Prokurorinë e Përgjithshme, për të dhënë shpjegime në lidhje me këmbimin e 70 mijë eurove me ish-zv.ministrin e Ekonomisë, Leonard Beqiri.
© Panorama.al











