Protesta popullore e shqiptarëve ka pushtuar edhe Mynihun në Gjermani.
Revolucioni i flamengove mblodhi diasporën në një tubim të pazakontë, ku spikasnin banderolat, parullat dhe thirrjet për llogaridhënie, transparencë, dhunën policore, skandalin e Zvërnecit apo shitjen e trojeve të Shqipërisë dhe deri te dorëheqja e qeverisë dhe kryeministrit.
Me një banderolë të gjatë ata kishin hartëzuar rrugët e marrjes së informacionit nga qytetarët për problematikat, si dhe pikëpyetjet e mëdha për qeverinë në lidhje me skandalet e dyshuara apo ligjet abuzive, si ato të zonave të mbrojtura, paketës së Maleve dhe investimeve strategjike.
Në një tjetër pankartë spikaste fotoja e qytetares së moshuar që tërhiqej zvarrë nga Policia dhe shoqërohej me forcë teksa protestonte të enjten te Parlamenti, ndërsa më tej mbishkrimi se “ku duhet të kërkohej llogaria për dhunën”.
Disapora ka spikatur gjatë muajit qershor dhe korrik me protestat e saj në kryeqytetet evropiane dhe botërore si dhe para ambasadave shqiptare të disa vendeve.
© Panorama.al
















