Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në Riad të Arabia Saudite, për Edicionin e 9-të të Future Investment Initiative, një prej forumeve më të rëndësishme globale për inovacionin, teknologjinë dhe investimet e qëndrueshme, që mbledh liderë botërorë e sipërmarrës për të diskutuar mbi të ardhmen e ekonomisë globale.
I ftuar në një prej paneleve për të diskutuar, ku mes të tjerëve ishte edhe kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, i pyetur nga moderatori, kreu i qeverisë u shpreh i shqetësuar për situatën gjeopolitike aktuale, kryesisht për luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, kërcënimeve të kësja të fundit me planet bërthamore dhe situatën ku u kap Evropa e papërgatitur dhe pa plane të hershme.
“Ka nxitim për t’u armatosur dhe për shumë armë e për t’u mbrojtur. Ndërkohë që nuk ka një plan paqeje, që të mund t shihje dhe të mendoje për të. Një Evropë që nuk ka planin e saj të paqes dhe për vite me radhë. Dhe pastaj kur gjërat atje ndryshuan dramatikisht do thoja, nisi të rizbulonte fjalën armëpushim. I kishte hequr nga fjalori të gjitha. Megjithatë ka ngecur në një pozicion ku mendohet vetëm për armatimin dhe jo për bisedimet e paqes dhe kjo është shqetësuese”.
Më tej ai shtoi se nuk i takonte të jepte leksione apo të tregonte se çfarë duhet të bëjë njëri apo tjetri vend, por shprehu trazimin e tij për situatën ku ndodhet bota, nën kërcënimin e armëve bërthamore dhe rrezikut të paqes.
“Jam kryeministër jetëgjatë i një vendi të vogël. Nuk më takon mua të bëj leksion dhe të them se çfarë duhet të bëjnë të tjerët, por si evropian i shqetësuar ndihem i trazuar se fjala armë bërthamore është kthyer në fjalor normal, kurse më parë nuk përdorej nga askush. Se çfarë duhet të bëjë e të mos bëjë Europa nuk është punë e Shqipërisë, edhe pse kështu është mirë, sepse kur vjen momenti që e dreqosin, e mbajnë vetë përsipër dështimin, e kur Evropa ka sukses, kemi edhe ne, tha Rama mes të tjerash në fjalën e tij.
Kryeministri foli edhe për vizionin dhe inovacionin, duke iu referuar Arabisë Saudite si një prej “lokomotivave” aktuale të botës.
“Ka vende të mrekullueshme që mund të jenë të varfra, por nuk ka shtete të pasura që janë të shëmtuara. Sot Mbretëria Sauditë është një model dhe kjo lidhet me vizionin, bukurinë, transformimin, që është i prekshëm. Evropa, apo Perëndimi tani po përjeton inercinë dhe jo imagjinatën. Imagjinata ushqehet nga inovacioni, nga nevoja për të shkuar më lartë, lidhet po kështu me bukuritë. Kjo më ndodhi edhe mua kur isha kryetar bashkie i Tiranës, kur lyem pallatet, e më thoshin se janë thjesht fasadë, por kjo lidhej me vizionin, sepse imagjino ngrihesh në mëngjes del në rrugë dhe sheh përreth”, u shpreh kryeministri.
© Panorama.al












