Ministri i Financave, Petrit Malaj dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku janë përfshirë në një debat lidhur me kërkesat për informacion mbi fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore.
Ministri Malaj akuzoi deputeten Tabaku se ka dhënë informacion të pavërtetë mbi komunikimet zyrtare me Ministrinë e Financave.
Ai deklaroi se pretendimet e Tabakut se kishte dërguar katër shkresa dhe se një prej tyre kishte një muaj që priste përgjigje, nuk qëndronin. Sipas ministrit, dokumentacioni nga deputetja ka mbërritur vetëm një javë më parë.
Nga ana e saj, Jorda Tabaku akuzoi ministrin për gënjeshtra dhe mungesë njohurish ligjore.
“Zoti ministër, që të gënjesh kaq pa turp, por edhe të kesh injorancë ligjore unë nuk e di, ti i ke të dyja bashkë,” deklaroi Tabaku.
Petrit Malaj: E nderuar zonja tabaku nuk e arrij të kuptoj si gënjeni me zë dhe figurë që keni dërguar 4 shkresa dhe keni 1 muaj që e keni dërguar këtë shkresë. Në fakt shkresa juaj ka ardhur para një jave në ministrin e Financave. Si ligjvënëse e vjetër e Parlamentit duhet të dini që edhe kërkesa që keni sjellë është në kundërshtim me disa ligje të tjera për nivelin e informacionit që keni kërkuar. Duhet ti referoheni ligjit të procedurave tatimore, për të kuptuar që informacioni që ju kërkoni nuk mund të ndahet dhe është e dhënë personale. Duhet të kërkoni konsensusin e debitorit për borxhet që ka. Në lidhje me informacionet se kush janë përfituesit e shuarjes së detyrimeve tatimore apo doganore jua kam thënë janë 200 e dy mijë përfitues. Nuk keni lexuar pr ligjet, se po ti kishit lexuar do të kuptonit që ata tatimpagues që janë në ndjekje penale, në hetim tatimor nuk përfitojnë nga fshirja e detyrimeve. Informohuni para se të vini dhe të bëni retorika boshe politike.
Jorida Tabaku: Zoti ministër që të gënjesh kaq pa turp, por edhe të kesh injorancë ligjore unë nuk e di, ti i ke të dyja bashkë.
Më pas Bardhi kërkoi fjalën për procedurë nga vendi, por Spahiu refuzoi, duke kërkuar që të fliste ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja për një nga projektligjet e radhës.
Debati në sallë Bardhi-Spahiu:
Bardhi: Dua fjalën për procedurë!
Spahiu: E kuptoj që doni ta prishni seancën zoti bardhi por kjo s’ka për të ndodhur!
Bardhi: Dua fjalën për procedurë, zonjë më jep fjalën për procedurë, është rregullorja, pse është rregullorja?
Spahiu: Zoti Bardhi uluni, nuk do e prishni seancën, e kuptoj se kërkoni që ta prishni. Zoti ministër (Blendi Gonxhja pret në foltore), vijoni fjalën, merrni fjalën…
Në këto momente ndërhyn edhe deputeti Klevis Balliu nga vendi, që gjithashtu kërkon fjalë për procedurë, por Spahiu e paralajmëroi të mos ndërhynte dhe më pas i tërhoqi vërejtjen në bazë të rregullores.
Pas fjalës së Gonxhes, Bardhi arriti të merrte fjalën për procedurë:
“Do kishit bërë mirë t’i tërhiqnit vëmendjen ministrit të Financave që iu drejtua ashtu zonjës Tabaku. Ministri gënjeu këtu. I them ministrit të lexojë mirë ligjet para se të flasë këtu. Ti ke detyrimin t’i bësh publike kompanitë që nuk kanë paguar detyrimet ndaj shtetit para qytetarëve shqiptarë. Zonja kryetare, zbatoni standardin dhe rregulloren e Kuvendit, këtu duhet të ketë standard, duhet t’i tërhiqni fjalën ministrit të Financave para se të kritikoni deputetët e opozitës”.
© Panorama.al











