VIDEO/ Nxirret nga deti mjeti i aksidentit tragjik në Ksamil, ku humbi jetën 22-vjeçari Albiano Kreçi! Bllokohen 8 mjete lundruese

Jun 16, 2026 | 17:24

Mesditën e kësaj të marte, specialistë të ardhur nga Drejtoria e Policisë Kufitare Vlorë, me ndihmën e një vinçi, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga uji të mjetit të përfshirë në aksidentin e ndodhur ditën e hënë në Ksamil, ku humbi jetën 22-vjeçari Albiano Kreçi.

Sipas burimeve, pas përplasjes me skafin e policisë, mjeti pësoi dëmtime të rënda duke u çarë dhe për pasojë u fundos. Ai u lokalizua në një thellësi prej 34 metrash dhe, pas nxjerrjes në sipërfaqe, është transportuar drejt vendbazimit të mjeteve të bllokuara në Ksamil.

Mjeti pritet të shërbejë si provë materiale në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Albiano Kreçi skafi (2)

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, Policia Kufitare e Sarandës ka vijuar kontrollet intensive ndaj mjeteve lundruese, duke bllokuar gjithsej 8 prej tyre, 7 në zonën e Ksamilit dhe 1 në Sarandë. Mjetet e bllokuara janë shoqëruar në portin e Sarandës, ku do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme nga autoritetet përkatëse.

Albiano Kreçi skafi (1)

Kujtojmë se ngjarja u regjistrua rreth orës 18:30 më 15 qershir, kur i riu, i cili po drejtonte një mjet lundrues, u përfshi në një përplasje fatale.

Sipas informacioneve, Albiano Kreçi ishte diagnostikuar me diabet që në moshën 15-vjeçare dhe prej dy vitesh trajtohej me insulinë. Burime pranë personelit mjekësor bëjnë me dije se 22-vjeçari kishte marrë dozën e insulinës pak para se të hipte në mjetin lundrues.

Sipas vlerësimeve paraprake, ky faktor mund të ketë ndikuar në gjendjen e tij shëndetësore dhe në humbjen e kontrollit të mjetit, megjithatë shkaku i saktë mbetet objekt hetimi.

Albiano Kreçi

Ndërkohë pamjet e publikuara nga momenti i përplasjes me skafin e Policisë janë filmuar nga një velierë e huaj e ankoruar në Gjirin e Ksamilit dhe po shqyrtohen nga grupi hetimor.

Trupi i pajetë i 22-vjeçarit është transportuar në Tiranë, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar me saktësi shkaqet e vdekjes.

Lidhur me ngjarjen, hetimet po vijojnë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroria e Sarandës, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

© Panorama.al

Te lidhura