Volodymyr Zelensky mori pjesë në samitin e G7 në Evian të Francës, ku pati mundësinë të zhvillojë një bisedë të shkurtër me Donald Trump.
Një fotografi e publikuar nga presidenca ukrainase i tregon të dy liderët ulur pranë njëri-tjetrit në tryezën e samitit. Në një tjetër foto shfaqet edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Kjo është hera e parë pas shumë muajsh që dy liderët zhvillojnë një takim kokë më kokë. Pas takimit të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë në shkurt të vitit 2025, kontaktet e mëvonshme mes tyre kanë qenë më të qeta, qoftë në Uashington apo në Vatikan, gjatë ceremonisë mortore të Papa Françeskut.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky shprehu kënaqësinë për diskutimin konstruktiv mes liderëve të G7 dhe Ukrainës, duke i falënderuar homologët e tij për kohën e kushtuar dhe “për propozimet e forta mbi mënyrën se si Rusia mund të detyrohet të arrijë paqen”.
“Prioritetet janë të qarta: më shumë raketa për mbrojtjen ajrore, së bashku me leje për prodhimin e tyre, një paketë mbështetjeje për dimrin dhe rritje e presionit ndaj Rusisë. Është e rëndësishme që SHBA-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje në të gjitha këto fusha.
Është jetike që të zbatohen të gjitha ato për të cilat u diskutua. Rusia duhet të kuptojë se lufta e saj nuk do të pranohet kurrë. Faleminderit të gjithëve që ndihmojnë”, shkroi ai.
© Panorama.al













