Një situatë alarmante që mund të kishte sjellë pasoja të rënda për qindra banorë dhe mijëra hektarë toka bujqësore është vënë nën kontroll falë ndërhyrjes emergjente dhe të koordinuar të strukturave të pushtetit vendor në digën e rezervuarit të Funarit në Elbasan.
Diga e rezervuarit të Funarit, me një lartësi prej 25 metrash, kapacitet prej 1.4 milionë m³ ujë dhe sipërfaqe 18 hektarë, është ndërtuar në vitin 1989 dhe shërben për vaditjen e tokave bujqësore në njësitë administrative Funar, Bradashesh dhe Gracen.
Për zonën, ky rezervuar përbën një burim jetik për bujqësinë dhe ekonominë vendase.
Reshjet intensive të 24 orëve të fundit e përshkallëzuan situatën në nivele kritike. Prurjet që hynin në rezervuar kapën shifrën mbi 4 m³/sekondë, ndërkohë që kapaciteti i shkarkimit ishte vetëm rreth 1 m³/sekondë.
Si pasojë, niveli i ujit u rrit me shpejtësi duke arritur deri në kurorën e digës, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e saj.
Përballë këtij rreziku real për përmbytje masive dhe dëme të pallogaritshme, strukturat vendore reaguan menjëherë. Me angazhimin në terren të mjeteve të rënda, konkretisht dy fadromave, u bë hapja dhe zgjerimi urgjent i shkarkuesit.
Kjo ndërhyrje rriti kapacitetin e shkarkimit në mbi 2.5 m³/sekondë, ndërsa aktualisht prurjet që hyjnë në rezervuar kanë rënë në më pak se 2 m³/sekondë.
Si rezultat i këtij operacioni emergjent, niveli i ujit ka nisur të ulet gradualisht, duke larguar rrezikun e menjëhershëm të çarjes së digës dhe përmbytjeve në zonat përreth.
Autoritetet vijojnë monitorimin intensiv të situatës, ndërsa strukturat e emergjencave civile mbeten në gatishmëri të plotë.
Ndërhyrja e shpejtë dhe e koordinuar dëshmoi edhe një herë rëndësinë e reagimit në kohë për të parandaluar një katastrofë me pasoja të paimagjinueshme për komunitetin dhe ekonominë bujqësore të zonës.
© Panorama.al











