Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot para mediave se opozita po përgatit një protestë të dytë të fuqishme, që nuk është parë asnjëherë, pas asaj të suksesshme të 24 janarit, që u mirëprit edhe nga ndërkombëtarët.
Shkaku kryesor sipas tij, është akti puçist dhe skandaloz i kryeministrit Edi Rama për të bllokuar kalimin në Parlament shqyrtimin e dosjes së zv/kryeministres Belinda Balluku dhe heqjen e imunitetit të saj që kërkon SPAK-u, për shkak të aferave korruptive.
Teksa bëri rezumenë e takimeve dhe fjalimeve gjatë qëndrimit disaditor në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, ai bëri me dije dhe hapat që do ndiqen politikisht.
“Denoncimet janë dhe një apel i rëndësishëm për ta, ia tregova ndërkombëtarëve dhe evropianëve. Gjatë qëndrimit në sallën e parlamentit u denoncua Rama si autor kryesor i aferës Balluku. Kërcënimin e madh që përbën Rama për vendet e Evropës duke i bërë të mundur koordinatorit të tij që t’i transmetojë të gjitha të dhënat e sekretet e sigurisë armiqve të vendit tonë dhe të vendeve të NATO-s. Tronditëse! Mund t’ju them se tre ditë në sallat e tempullit të demokracisë, fantazma e kreut të organizatës kriminale Edi Rama, ishte më e përçmuara!”, tha ai.
Kreu i selisë blu nënvizoi se ndërkombëtarët u njohën me regjimin autoritar të Ramës, si i vetmi i bazuar në kartelet e drogës, kurse fantazma e kryeministrit për disa ditë u soll në korridoret e Asamblesë së KE-së, ku u denoncuan edhe aferat e Ballukut, që kreu i qeverisë po mbron tani politikisht.
“Shqipëria e Ramës renditet aty si një nga diktaturat autoritare, por e vetmja që bazohet në drogë. Natyrisht që krahas mbledhjeve në grup, fjalimeve, diskutimeve në grup, ne patëm edhe takime të rëndësishme, me drejtues të Komisioneve, personaliteteve, drejtues të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, takime që gjetën mirëkuptim të plotë”, vijoi lideri i opozitës.
Berisha tha se jehona e protestës së 24 janarit ishte e fuqishme, por ajo që po vjen do jetë edhe më e madhe, pas skandalit të fundit të Ramës që bllokoi parlamentin për të mos i hequr imunitetin Ballukut.
“Jehona e protestës ishte e fuqishme, pritet nga miqtë tanë edhe protesta e dytë, ashtu siç pritet nga opozitarët shqiptarë, edhe nga ndërkombëtarët. Denoncuam aktin puçist të Ramës me të cilin ai bllokoi, për të cilin ai për të mbrojtur veten e tij, bllokoi Parlamentin dhe nuk lejoi shqyrtimin e dosjes (Balluku). Qytetarët do flasin dhe shqiptarët do njohin edhe protestën më të fuqishme që kanë njohur ndonjëherë”.
© Panorama.al











