Video, avokatët e Metës: E sajuar. Komplot politik

Nov 1, 2011 | 16:24

TIRANE- Një ditë pas publikimit të rezultateve të ekspertëve shqiptarë që kanë kryer ekspertizën e të ashtuquajturës video Meta- Prifti, avokatët e ish zv.kryeministrit, Ilir Meta në një konferencë për shtyp sollën një pasqyrë të plotë të ekspertizës.

Ata thanë se video ka patur ndërhyrje të shumta dhe se nuk ekziston një filmim Meta- Prifti. Sipas tyre ndërhyrjet më të shumta janë bërë në fashon zanore të videos së transmetuar në televizion.

Ndërhyrje në të famshmin tik-tak të orës veçanërisht në pjesët e nxehta të bisedës së pretenduar, ku tik-tak-u nuk ishte në linearitet, por sipas ekspertëve, ishte i veshur, i mbivendosur. Kjo ka çuar ata në konkluzionin e ndërhyrjeve dhe manipulimit të videos.

“Dëgjueshmëria ishte jo në parametrat që përcaktohen në shkencën audio-vizive. Tërë biseda ishte nën këtë kufi dhe shkonte 3 dhe 1 decibel, duke e bërë bisedën jo vetëm të padëgjueshme por edhe të pakuptueshme tërësisht.”- thanë më tej avokatët e Metës.

Gjithnjë sipas avokatëve te kreut te LSI-se, Ilir Meta, DVD-ja e sekuestruar në emisionin Fiks Fare është prodhuar në 12 janar, ndërkohë që emisioni ishte transmetuar në 11 janar.

“Pra jepet emisioni pastaj prodhohet DVD-ja, konkluzionet nxirrini vet.”- thanë ata.

Ata e quajtën video- përgjimin një skenar që përbën fijet e një komploti me ngjyra të theksuara politike, duke premtuar se në të ardhmen do të paraqesin fakte që do ta dëshmojnë këtë pretendim të tyre.

Nuk ka filmim Meta- Prifti, thanë më tej ata, kjo dëshmon se në këtë orë përveç se nuk ekziston ky filmim ka gjurmë ndërhyrjesh dhe dëshmon se Prifti nuk tregohet i sinqertë dhe i takon Prokurorisë të hetojë edhe për këtë rrethanë, për stimulimin e një situate të paqenë.

Avokatët mbrojtës të kreut te LSI-së,  Ilir Metës hodhen poshte pretendimet e Dritan Prifiti, se një ditë para se ekpertët shqiptarë të jepnin konkluzionet mbi çështjen ne Gjykatë ato janë takuar me ta. Për këtë, avokatët tha se do të ndërmarrin hapa ligjore ndaj tij.

© Panorama.al

Te lidhura