Vëzhguesit e ODIHR: Nuk kemi interes për partitë, do jemi objektivë

Mar 30, 2011 | 10:16
Vëzhfuesit e ODIHR dje në konferencë për shtyp

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it premtoi dje objektivitet në monitorimin e zgjedhjeve të 8 majit. Vëzhguesit e huaj nisën dje zyrtarisht aktivitetin në Shqipëri, duke i bëri thirrje partive politike që të punojnë për një proces të lirë dhe të ndershëm. Ky mision përbëhet nga 15 ekspertë ndërkombëtarë dhe 39 vëzhgues afatgjatë që do të jenë së shpejti në Tiranë për t’u shpërndarë në të gjithë vendin. Kreu i misionit, Jonathan Stonestreet, bëri të njohur se 400 do të jenë vëzhguesit afatshkurtër që do të monitorojnë 8 majin dhe procesin e numërimit. Ai theksoi se raporti për zgjedhjet do të bazohet mbi paanshmërinë. “Do të doja të theksoja, se elementi kryesor i metodologjisë së OSBE/ODIHR-it është ai i paanshmërisë. Ne nuk jemi të interesuar dhe nuk kemi interes të veçantë për asnjë parti politike, apo për aktorë të ndryshëm politikë në Shqipëri, por jemi shumë të interesuar për rezultatet të cilat duhet të jenë të bazuara mbi një proces të rregullt dhe të ndershëm. Vlerësimet për procesin zgjedhor do të bazohen në angazhimet e OSBE/ODHIR-it dhe standardet e tjera ndërkombëtare si dhe në legjislacionin e vendit. Ne do të vëzhgojmë dhe analizojmë në veçanti përputhshmërinë me rekomandimet që erdhën si rezultat i zgjedhjeve 2009, që lidhen direkt me partitë, të cilat duhet të demonstrojnë gatishmërinë për të organizuar zgjedhje të ndershme”, tha Stonestreet. Duke folur për mungesën e diskutimit dhe përmirësimit të 32 rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it në Kodin Zgjedhor, përfaqësuesi i lartë i misionit të vëzhguesve të huaj tha se kjo nuk ndikon në vlerësimin e zgjedhjeve të 8 majit. “Nuk është e thënë që të kesh zgjedhje të mira, duhet të kesh legjislacion shumë të mirë, dhe nga ana tjetër mund të kesh legjislacion shumë të mirë, dhe kjo nuk siguron zgjedhje të lira. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it duhet të ishin zbatuar, por fakti që nuk janë zbatuar nuk do të thotë që kjo do të sjelle pashmangshmërisht një vlerësim negativ për procesin zgjedhor”, tha Stonestreet. Vëzhguesit afatgjatë do të ndjekin aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore si dhe implementimin e legjislacionit në lidhje me zgjedhjet. Ky mision do të dalë me një qëndrim paraprak për zgjedhjet më 8 maj dhe raporti përfundimtar do të bëhet 8 javë pas përfundimit të misionit të vëzhgimit. Në qendër të vëmendjes do të jetë dhe administrata zgjedhore, zbatimi i ligjit nga ana e saj, mbulimi i procesit zgjedhor nga media elektronike. “Shpresojmë se mosmarrëveshjet të mos kenë ndikim në institucione”, nënvizoi shefi i misionit të vëzhguesve, duke shtuar se “Ata ( partitë) duhet të mos përdorin detyrat që kanë për zgjedhjet”

© Panorama.al

Te lidhura