Emisioni Vetting
Në 3 tetor 2021 shpërtheu skandali ndërkombëtar i “Pandora Papers”, ku miliona dokumente sekrete të zbuluara nga Rrjeti Ndërkombëtar i Gazetarisë Investigative ekspozuan sekretet financiare për 35 drejtues dhe ish-drejtues politikë botërorë.
Më shumë se 330 politikanë dhe zyrtarë publikë, si dhe një grup global të arratisurish, mashtruesish dhe vrasësish përfunduan në faqet e mediave ndërkombëtare.
Ky skandal evidentoi se shumë nga njerëzit e fuqishëm që mund të ndihmojnë për t’i dhënë fund sistemit offshore, janë pikërisht ata që përfitojnë më shumë nga ky sistem duke fshehur asetet nëpërmjet kompanive private, ndërkohë që qeveritë e tyre bëjnë shumë pak për të ngadalësuar rrjedhjen globale të parave që pasurojnë kriminelët dhe varfërojnë kombet.
“Cilësia e offshorit kush është? Është që nuk e tregon kush është pronari i kompanisë së regjistruar në offshore, prandaj njerëzit shkojnë e regjistrohen në offshore”- shprehet eksperti Pano Soko.
“Nuk mjafton vetëm puna e Prokurorisë së Posaçme. Vet drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka deklaruar se vet institucionet shtetërore nuk depozitojnë kallëzime. Kjo është një thirrje që unë nëpërmjet jush i bëj çdo qytetari, që shikon një vepër penale, ka detyrimin ligjor ta kallëzojë”- thotë për Vetting Arben Llangozi.
Shqipëria kishte disa biznesmenë të përfshirë në skandalin e “Pandora Papers”, por deri më sot nuk është zbuluar asnjë politikan shqiptar në këto lista. Megjithatë kërkimet e thelluara të “Vetting” provojnë se biznesmenë shqiptarë me pasuri offshore janë një zgjatim i politikës, pasi ata rezultojnë ortakë biznesi me familjarët e tyre në kompani të fshehura jashtë Shqipërisë.
Ky skandal ndërkombëtar zbulon qartë skemën se si biznesi privat në Shqipëri merr tendera, licenca dhe koncesione nëpërmjet favorizimeve duke transferuar shuma monetare te familjarët e zyrtarëve më të lartë në vend, të cilët abuzojnë me një nga vendet më të varfra në Europë.
Sipas ekspertit Pano Soko: “Në një situatë le të themi ku varfëria është ulur këmbëkryq në pothuajse gjysmën e popullsisë sipas raporteve të Bankës Botërore, 46% e popullsisë jetojnë në prag varfërie, ku varfëria është kaq e theksuar sa nuk ka një sektor të jetës publike, jo vetëm ekonomia, por një sektor të jetës publike që nuk është kapur sot, ku padrejtësia sociale është kaq e madhe“
“Jemi në një situatë ku pavarësisht propagandës së madhe, njerëzit prekin përditë në jetën e përditshme, përballen me vështirësi, mungesën e ilaçeve nëpër spitale, me mungesën e mundësive, për të ndërtuar në Shqipëri një jetë të re.”- shprehet Agron Shehaj.
Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara në Europë dhe korrupsioni tashmë është një emergjencë kombëtare, e cila si një thikë godet pareshtur vendin duke shkaktuar hemorragji të fondeve publike dhe largim masiv të të rinjve në emigracion.
Sipas Shehajt: “Mjafton të shohim se sa, ikin me dhjetra mijëra shqiptarë, çdo vit nga Shqipëria, vetëm në 2023 mbi 50 mijë shqiptarë kanë ikur dhe kanë marrë për herë të parë një leje qëndrimi në Bashkimin Europian. Kështu që kjo tregon që njerëzve u ka ardhur në majë të hundës”
Për herë të parë “Vetting” zbulon aferat në nivelet më të larta të qeverisjes, që kanë përfshirë zv.kryeministren Belinda Balluku, stafin e saj më të ngushtë ku familjarët e drejtorëve nën varësinë e Ballukut janë të implikuar në koncesione, tendera publike.
Madje familjarë të drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres rezultojnë ortakë me kompani që marrin fonde publike nga buxheti i shtetit, që ngrenë dyshime të forta për afera korruptive pasi kemi konflikt interesi.
“Në çdo institucion shtetëror kemi një çerdhe të korrupsionit sepse nuk bëhet fjalë për një rast, por kemi me dhjetra raste dhe implikimi të drejtorash, në veprime të kundraligjshme, në krijimin e kompanive që përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë të ardhura nga buxheti i shtetit dhe kjo përbën në vetvete një vepër penale të korrupsionit.”- shprehet avokati Arben Llangozi.
Kjo që shikoni është zv.kryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Por teksa jemi mësuar ta shohim të dalë në deklaratë për mediat nga Kryeministria, kësaj radhe ministrja Balluku është duke dalë nga dera e Prokurorisë së Posaçme e zënë në pritë nga gazetarët pasi është marrë në pyetje për 3 orë rresht nga prokurorët e SPAK-ut, gjithmonë sipas saj për çështjen e inceneratorëve.
“Kjo është ndarja e vërtetë e pushteteve për atë që ne e kemi folur gjithmonë. Pra, qeveria ka punën e saj, parlamenti ka punën e tij dhe drejtësia ka punën e saj dhe ne jemi këtu për ta mbështetur padyshim. Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh dhe të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet, për të ndarë njëherë e mirë të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm.”- është shprehur ministrja Balluku.
Zv.kryeministrja Balluku flet për drejtësinë, për të mirën dhe të keqen, por shmang faktin se gjurmët e aferave që kanë lënë bashkëpunëtorët e saj më të afërt si ish-Drejtori i ARRSH-së i arrestuar nga SPAK, Evis Berberi përfundojnë te zyra e saj në Ministrinë e Infrastrukturës.
Tashmë këto gjurmë kanë arritur edhe te zyra e zv.Kryeministrisë, ku i bashkëngjitën familjarët e drejtorit të kabinetit Ermal Nufi, drejtorëve që janë në varësi direkte nga ministrja Balluku, si Mehmet Hasalami, Erjola Muka dhe Irena Malolli.
Sipas Artur Meçollarit: “Korrupsioni i qeverisë shqiptare është i mirëstrukturuar, si një strukturë paralele me strukturën e hierarkisë shtetërore.”
Nën buzëqeshjen e zv.kryeministres fshihen disa padi nga opozita e vendit për atë personalisht për Portin e Durrësit, për sektorin e energjisë, dy hetime nga SPAK për koncesionin e bazës ushtarake në Sarandë dhe tunelin e Llogarasë, ku shkeljet për këtë të fundit janë denoncuar nga emisioni “Vetting” në prill 2024.
Teksa ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj u vendos nën hetim nga Prokuroria e Posaçme pasi iu ekspozuan njohjet me biznesmenët e inceneratorëve për shkak të një aksidenti me makinën që po udhëtonte në Maqedoninë e Veriut, për zv.kryeministren Balluku ka një mjegull, e cila të krijon përshtypjen e qetësisë përpara stuhisë.
LEXO EDHE:
© Panorama.al











