Vetëvaret në kasolle 14-vjeçari

Mar 11, 2011 | 13:26

Viktima Julian Lilaj, nga fshati Havaleas i rrethit të Fierit, u gjet i vetëvarur në kasolle pas shtëpisë së tij. Ai jetonte me nënën dhe vëllain, pasi i ati i kishte vdekur në një aksident rreth 2 vjet më parë. Burime të policisë bënë të ditur se bazuar në dëshminë e familjarëve, 14- vjeçari ishte kthyer dje nga shkolla dhe kishte qëndruar gjatë gjithë kohës i tërhequr dhe i mërzitur. Ai kishte dy vjet që kishte shfaqur ngarkesa emocionale dhe shenja depresive. Kjo gjendje kishte lidhje me një aksident që i mituri kishte pësuar, nga i cili kishte mundur të shpëtonte, por kishte humbur babanë. Që nga ai moment, adoleshenti kishte shfaqur ngarkesa emocionale të herëpashershme, çka e rëndonte shpesh situatën e tij. Mësohet se Lilaj merrte mësimet në shkollën e mesme artistike “Jakov Xoxa”, në qytetin e Fierit. Edhe në shkollë fëmija kishte paraqitur tërheqje me bashkëmoshatarët e tij që studionin për muzikë. Familjarët deponuan për grupin e hetimit se ai nuk ishte parë në banesë dje për afro 3 orë. Trupi i tij u zbulua vetëm kur e ëma kishte shkuar për të sistemuar bagëtitë. Ajo ka dhënë kujën duke kërkuar edhe ndihmën e fqinjëve, të cilët e dërguan me urgjencë në spital. Por sipas mjekëve, viktima kishte gjetur vdekjen të paktën një orë para se të mbërrinte aty. “E gjetëm të varur me një litar që mbanim në kasolle. Nuk e mendonim kurrë diçka të tillë. Nuk fliste shumë që nga koha kur i vdiq i ati në aksident. Edhe Juliani pësoi aksident me të atin dhe ra disa ditë në gjendje kome. Menduam se e humbëm, por fati na e solli në jetë për të na e marrë tani kaq papritur…”, u shprehën të afërm të 14-vjeçarit. Policia e Fierit u njoftua për ngjarjen dhe mbërriti në vend duke nisur edhe hetimet. Blutë morën në pyetje familjarët dhe të afërmit e të miturit, ndërsa po plotësojnë edhe dosjen përkatëse. Burimet nga grupi hetimor që po merret me këtë çështje bënë të ditur se paraprakisht dyshohet se 14-vjeçari është vetëflijuar në kushtet e një depresioni të rëndë, duke iu referuar edhe gjendjes emocionale të kohëve të fundit. Gjithsesi, blutë e Fierit po punojnë edhe në pista të tjera rreth jetës që bënte djali, përfshi këtu marrëdhëniet me familjen, shokët e klasës etj., të cilat po verifikohen.

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura