Venecia, 5 shqiptarë flasin për gjeografinë dhe artin

Mar 14, 2011 | 12:07

Ashtu si edhe u shpreh në ardhjen e tij në Tiranë, përpara gati një muaji, kuratori italian ka përzgjedhur vetëm artistë të rinj për pavijonin shqiptar të Venecias. Nga data 1 qershor – 27 nëntor 2011, Shqipëria do të marrë pjesë në Edicionin e 54-t të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Dje në Romë, drejtoresha Bice Curiger mbajti konferencën e parë për shtyp për këtë ngjarje dhe bëri të ditur emrat e artistëve pjesëmarrës. Po dje, kuratori i pavijonit shqiptar, Ricardo Caldura, bëri të njohur për mediat emrat e artistëve që do të na përfaqësojnë në një prej ngjarjeve më të mëdha ndërkombëtare për artet pamore. Në një njoftim për shtyp thuhet se komisioneri i Pavionit të Shqipërisë, Parid Teferiçi, dhe kuratori Riccardo Caldura, “pas punës përzgjedhëse dhe takimeve të kryera në Shqipëri dhe jashtë saj, duke pasur parasysh përvojat kombëtare dhe ndërkombëtare të artistëve të marrë në shqyrtim; duke konsideruar larminë e qasjeve stilistike dhe formale – në mënyrë që të paraqitet një spektër sa më i gjerë i kërkimit artistik bashkëkohor shqiptar – kuratori ka përzgjedhur artistët e mëposhtëm: Anila Rubiku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Eltjon Valle, Driant Zeneli”. Po sipas këtij njoftimi, titulli i zgjedhur për këtë ekspozitë është “GEOPATHIES”, “i cili kondenson idenë kuratoriale të evidentimit të një raporti të ngushtë mes veprës së artit dhe kontekstit gjeografik, historik dhe shoqëror. Veprat janë konceptuar si pika të privilegjuara rilevimi për të kapur aspekte të një realiteti tjetër nga ai i përditshëm”. Mësohet se “vendi ku do të vendoset pavijoni shqiptar ndodhet në Giudecca, në një nga pikat më tërheqëse të Venecias, përballë Akademisë së Arteve të Bukura. ‘Spazio Rolak’, i cili prezantohet për herë të parë para publikut ndërkombëtar, konsiston në një hapësirë ekspozitive mbi 160 metra katrorë, e përshtatshme profesionalisht për të bujtur këtë manifestim”.

Pavijoni shqiptar:

Riccardo Caldura
Kurator
Parid Teferici
Komisioner
Artistë:
Anila Rubiku
Orion Shima
Gentian Shkurti
Eltjon Valle
Driant Zeneli

© Panorama.al

Te lidhura