TIRANË- Raporti paraprak i OSBE-ODIHR për klimën politike në prag të zgjedhjeve vendore e vlerëson mjedisin politik në vend thellësisht të polarizuar, me nivel të lartë mosbesimi ndërmjet partive politike dhe me një KQZ të ndarë në vija partiake. Në pjesën e rekomandimeve, në raportin paraprak theksohet se megjithëse disa prej Rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it janë zbatuar që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, një numër çështjesh kanë mbetur ende të patrajtuara.
Më e rëndësishmja, rekomandimet kryesore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe zgjedhjet vendore të vitit 2007, që partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike dhe që ato duhet t’i realizojnë detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme, për interesin e përgjithshëm të Shqipërisë mbeten për t’u trajtuar plotësisht.
Raporti konstaton probleme në pjesën për KQZ-në, ku sipas OSBE/ODIHR-it, përgatitjet për zgjedhjet vendore kanë çuar tashmë në ndarjen e KQZ-së në linja partiake. Sipas tij, anëtarët e opozitës në KQZ nuk kanë marrë pjesë, ose kanë braktisur një numër mbledhjesh të KQZ-së. “Ndonëse kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së duhet të bashkëpunojnë në realizimin e detyrave të tyre, raportohet se praktika e nënshkrimit të udhëzimeve si nga kryetari, ashtu dhe nga nën-kryetari nuk ekziston më”- thuhet në raport.











