Vendimi për mbylljen e TikTok-ut, reagon Rama: Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi

Mar 6, 2025 | 14:14

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin e tij social “X” lidhur me vendimin e qeverisë për mbylljen e platformës TikTok për një periudhë 12 mujore.

Screenshot_30Rama thotë se vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është  një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues.

Kryeministri vazhdon arsyetimin e vendimit duke thënë se vendim për mbylljen e TikTok u mor pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike.

Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, shkruan Rama në platformën X.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, njoftoi sot miratimin e vendimit për mbylljen për një vit të platformës TikTok.

Me këtë vendim, Qeveria vendosi ndërprerjen e aksesit në TikTok në territorin e Shqipërisë për një periudhë 12-mujore, deri në momentin që kjo platformë të zbatojë standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur.

Autoritetet kompetente, në bashkëpunim me ofruesit e internetit dhe platformat teknologjike, do të marrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi dhe vlerësimin e efektivitetit të tij në vazhdimësi.

“Është mbyllje e përkohshme e aksesit në platformën TikTok. Një mbyllje e përkohshme do të thotë që i kemi dhënë vetes 12 muaj kohë për të bërë të mundur që, në bashkërendim me përfaqësuesit e platformës së TikTok, të marrim të gjitha masat e nevojshme për të vendosur kushtet dhe kriteret e duhura në mënyrë që aksesi në TikTok të mos dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë.
Do të jetë Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e cila, me entet përkatëse, do të punojë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, që mund të jetë disa ditë ose një javë e pak, do të mundet që të realizojë këtë ndërprerje të aksesit në platformën TikTok.”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Rekomandimi për mbylljen e përkohëshme të kësaj platforme, është bërë nga një grup ndërinstitucional dhe u miratua sot me vendim qeverie.

© Panorama.al

Te lidhura