Kryebashkiaku i Bordosë në Francë, Thomas Cazenave, ka deklaruar se autoritetet po përgatiten për “çdo skenar të mundshëm”, ndërsa një nga zjarret e shumta që po përfshijnë Francën ndodhet tashmë vetëm 15 kilometra larg qytetit në jugperëndim të vendit, raporton BBC.
“Po përgatitemi të strehojmë një numër të madh njerëzish nëse urdhërohen evakuime të tjera”, tha Cazenave, duke theksuar se situata mbetet kritike.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili vizitoi zonat e prekura nga flakët në rajonin Gironde, e cilësoi situatën si një “zjarr tërësisht të paprecedentë”, duke shtuar se bëhet fjalë për sezonin më të rëndë të zjarreve që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas autoriteteve, rreth 220 mijë persona janë evakuuar në Francë, ndërsa në Spanjë mbi 100 mijë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve që vazhdojnë të digjen jashtë kontrollit në perëndim të Madridit.
Meteorologët paralajmërojnë se një tjetër valë e fortë të nxehti, e parashikuar për të martën, mund ta vështirësojë edhe më tej punën e zjarrfikësve.
Macron bëri të ditur se një zjarr më i vogël në rajonin Landes është vënë nën kontroll, por beteja me flakët në rajonin fqinj Gironde vazhdon. Ai theksoi se, megjithëse zjarrfikësit kanë shënuar përparim krahasuar me një ditë më parë, temperaturat në rritje dhe erërat e forta mbeten një kërcënim serioz.
© Panorama.al












