
TIRANE – Vetëm pak ditë pasi Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shpalli vendim në lidhje me anëtarët e “bandës së Lushnjës”, një prej tyre kërkon lirim nga qelia. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës pohuan regjistrimin e një kërkesë për “lirim me kusht”, që mban emrin e Arjan Aliços, një prej të dënuarve si anëtarë të bandës.
Referuar vendimit të Apelit, Aliço ishte në prag të lirimit. Sipas verdiktit të Apelit të Krimeve, ai u dënua me 5 vjet burg. Aliço u deklarua i fajshëm nga gjykata për akuzat e “pjesëmarrjes në organizatën kriminale” dhe “vjedhjes me dhunë”. Por, për shkak të kohës së gjatë të qëndrimit në paraburgim, gjatë shqyrtimit gjyqësor të dosjes në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda dhe në Apel, masa e tij e dënimit pothuajse është konsumuar. Po sipas burimeve, bëhet e ditur se shorti elektronik i Gjykatës së Tiranës ka përzgjedhur gjyqtaren Regleta Panajoti, si gjyqtaren që do të shqyrtojë kërkesën e tij për lirim. Në ditët në vijim pritet të përcaktohet seanca e parë gjyqësore e këtij gjykimi.
Më 20 shtator, Apeli i Krimeve të Rënda shpalli vendim ndaj të akuzuarve si anëtarë të “bandës së Lushnjës”, duke zbutur ndjeshëm disa prej dënimeve të dhëna në shkallën e Parë. Kështu, sipas Apelit, një prej të akuzuarve u deklarua i pafajshëm, ndërsa dy të tjerë u dërguan në prag të lirimit.











