Vendimi, busti i Azemit pranë Parlamentit të ri te Piramida

Mar 17, 2011 | 10:44

Qeveria ka marrë dje vendim për të ngritur monumentin e liderit të Dhjetorit 1990, Azem Hajdari, pranë kompleksit të ri parlamentar, që do të ngrihet te Piramida. Me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, qeveria ka miratuar vendimin, ndërkohë që është shfuqizuar akti i miratuar pesë vjet më parë, sipas të cilit monumenti do të ngrihej te parku “Rinia”. “Ngritjen e monumentit të Heroit të Demokracisë dhe Pluralizmit, Azem Hajdari, në parkun midis godinës së Kryeministrisë dhe lumit Lana, me shikim nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pranë ndërtesës së Parlamentit të ri. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit, për vitin 2011, miratuar për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria. Në 23.6.2006, Këshilli i Ministrave, përmes një vendimi të ngjashëm kishte përcaktuar parkun “Rinia” si vendin ku do të ngrihej busti i themeluesit të Partisë Demokratike. “Me propozimin e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen e monumentit të heroit të demokracisë dhe pluralizmit, Azem Hajdari, në krahun juglindor, të lulishtes “Parku Rinia”, në qytetin e Tiranës, sipas skemës, që i bashkëlidhet këtij vendimi; efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2006, miratuar për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, thuhej në vendimin e vitit 2006.

© Panorama.al

Te lidhura