Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha shpërtheu në akuza ndaj Niko Peleshit pasi ndryshoi rendin e ditës me kërkesë të kreut të Grupit të PS-së, Taulant Balla.
Teksa mori fjalën në Kuvend, Berisha theksoi se Peleshi do të mbahet mend në histori si “vasali më i shpifur i Edi Ramës” dhe “armik i Kushtetutës”, ndërsa kujtoi se nuk janë marrë në shqyrtim amendamentet e PD-së të depozituara prej një muaji.
Ndërkohë, Peleshi i ndërpreu fjalën dhe paralajmëroi se do të merrte masa ndaj tij për gjuhën e përdorur.
Pjesë nga debati:
Sali Berisha: Do të mbetesh në historinë e vendit si vasali më i shpifur i Edi Ramës si armik i egër i Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve, si armik i procesit të integrimit të vendit. Ka një muaj që janë dorëzuar amandamentet për amendimin e ligjeve, për të cilat, BE, KE, PE kërkojnë të amendohen. Protesta më e fuqishme që nga vitet 90 kërkon të anulohet ligji.
Peleshi: Mu drejto me etikë. Mos tejkaloni etikën parlamentare. Do t’u ndërpres sa herë që shkel rregulloren, madje do të marr edhe masa për të gjithë ata që abuzojnë me fjalën dhe sjellin këtu një përrua fjalësh që nuk na takon.
© Panorama.al












