
Vapa është në kulmin e saj dhe qytetarët duhet të bëjnë kujdes. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë nisur fushatën sensibilizuese për të informuar qytetarët. Krahas kujdesit që do të tregohet nga personeli mjekësor gjatë stinës së nxehtë, një tjetër vëmendje e posaçme pritet të tregohet nga strukturat shëndetësore edhe në lidhje me kontrollet antiduhan apo abuzimet me alkoolin nga grupmoshat poshtë 18 vjeç. Kjo detyrë i është caktuar sërish Task-Forcës Antiduhan, e cila shumë shpejt do të fillojë planin e saj në terren. “Ruajtja e shëndetit mund të arrihet përmes veprimeve të përbashkëta të qytetareve për zbatimin e këshillave dhe rekomandimeve të duhura dhe strukturave të shëndetësisë, por jo vetëm, për gatishmërinë dhe përgatitjen për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari”, tha ministri Shëndetësisë, Vangjel Tavo, në një aktivitet në zonën e ish-Bllokut. Në këtë aktivitet u shpërndanë materiale informuese ku qytetarëve iu kërkua nëse është e mundur të shmangin daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës 11:00–17:00. Ata duhet të vishen në mënyrë të përshtatshme, të përdorin mjete mbrojtëse, të konsumojnë lëngje ose ujë në mënyrë të mjaftueshme të paktën deri 2 litra në ditë. Efektet nga nxehtësia mbi shëndetin përfshijnë një diapazon të gjerë si dëmtimet në lëkurë, dehidratimi (humbja e lëngjeve), dhimbjet apo ngërçet muskulare, goditja nga nxehtësia, rëndimi i një sërë sëmundjesh kronike si sëmundja e hipertensionit, sëmundjet e zemrës, astma bronkiale, bronkiti kronik, pneumopatia obstruktive kronike, diabeti, thyreotoksikoza, insuficienca e veshkave, sëmundja nervore e parkinsonit, sëmundja e Alzheimer, skizofrenia, demenca. Ministri Tavo apeloi për kujdes, veçanërisht personat që bëjnë pjesë në grupet me të rrezikuara. Po kështu, kujdes duhet të tregohet me gatimin dhe ruajtjen e ushqimeve në mënyrë të sigurt, si dhe të tregohet kujdes për fëmijët, të moshuarit, personat e sëmurë apo edhe të vetmuar.
Sëmundjet kronikë
• Hipertensioni
• Sëmundjet e zemrës
• Astma bronkiale
• Bronkiti kronik
• Pneumopatia obstruktive kronike
• Diabeti
• Thyreotoksikoza
• Insuficienca e veshkave
• Sëmundja nervore e parkinsonit
• Sëmundja e Alzheimer











