Kanë kaluar jo pak por plot dy dekada, qëkur Valbona Selimllari pati fatin të ishte e para vajzë shqiptare që shijoi një kurorë missi. Dhe, pas kaq vitesh, duket se në pamjen e saj koha nuk ka kaluar aspak. Ka po të njëjtin sharm dhe elegancë e, si për të shuar kuriozitetin e publikut sesa në formë vazhdon të jetë ajo, ka vendosur të rikthehet në ekranin e “Vizion Plus” këtë sezon të ri televiziv, në konkurrencën e imazheve femra që televizionet i kanë shpallur njëri-tjetrit. Pas shtatë vitesh, qëkur ajo provoi sfidën e të kënduarit në spektaklin “C’est la vie” në “TV Klan” tashmë vjen me një program të titulluar “Nga e para”, ku do të shfaqet ajo prezantuese e formatit dhe ku një skuadër arkitektësh shndërrojnë një shtëpi të thjeshtë brenda katër ditësh. Si drejtoreshë e imazhit të qendrës tregtare “City Park” dhe imazh i një firme të njohur në Shqipëri, me një portret shumë familjar dhe të këndshëm, jo pa qëllim është menduar që ajo të rishfaqet në këtë sezon të ri me këtë program televiziv, të parealizuar më parë. Megjithëse ka qëndruar larg ekranit, ajo sërish për shkak të punës si imazh i një kompanie të madhe dhe njohjet e saj me televizionet, ka qenë këto vite një nga personazhet e pëlqyer për të qenë prezent në juri e festivale, siç ishte pjesëmarrja në jurinë e festivalit “Kënga Magjike 2008”, apo e ftuar në panele diskutimesh të emisioneve të njohura televizive. Gjithsesi, si miss-i i parë shqiptar dhe që theu tabutë për të marrë pjesë në një konkurs bukurie në Tiranën e vitit 1992, ajo kërkonte më shumë nga vetja, që të mund të ishte një nga prezantueset e para në Shqipëri, një ëndërr që nuk e realizoi në vite, edhe pse është një nga mikeshat më të ngushta të regjisores së njohur Vera Grabocka.
Paskuintat në spektaklet e Grabockës
Valbona Selimllari, që të gjithë e thërrasin Bobi, një emër i mbetur nga fëmijëria e saj si vajzë çapkëne, ka qenë një nga vajzat e bukura të “Petro Ninit”. Po me emrin Bobi i flisnin kolegët në paskuintat e spektakleve të Vera Grabockës, ku ajo ishte drejtoreshë estetike. Por, që pas marrjes së titullit Miss në vitin 1992, ajo në fakt aspironte më shumë për karrierën e saj skenike, shans që Vera Grabocka, regjisorja e njohur, me sa duket nuk e dha. Dhe Bona në të gjitha intervistat e saj në media e ka pohuar me zë të lartë se skena dhe prezantimi ishte një nga pasionet e mëdha në jetë. Përveç fillimeve të saj si prezantuese në krah të Adi Krastës, më pas publiku kishte mall ta shihte Bonën në skenë, ndërsa mund ta lexonte emrin e saj në titrat e spektakleve të Vera Grabockës. Dhe ashtu si publiku, një pyetje që Bona mund t’i ketë bërë vetes prej kohësh ishte nëse ia vlen që të qëndrojë në hije një femër e bukur si ajo?! Në fillim u duk se do t’i dedikohej tërësisht spektaklit, por në fakt ndodhi e kundërta. Ajo u largua tërësisht nga skena, për të kaluar në paskuintë. Kështu, nga eksperienca në spektaklet e Vera Grabockës si asistente, më vonë ajo nënshkroi një kontratë me kompaninë “Deka”, për të qenë imazh i saj. Dhe, pas një periudhe heshtjeje skenike, ajo u rikthye si këngëtare në spektaklin “C’est la vie” në vitin 2007, në duetet e saj me Aleksandër Gjokën. Dhe, këtë rikthim të saj në skenë kësaj here e bënë vëllezërit Pandi e Bledi Laço dhe jo Vera Grabocka, e cila për hir të së vërtetës ka qenë më shumë një mikeshë e Bonës, sesa mbështetëse për të çuar më tej pasionin e saj për televizionin. Në këtë rast ishte hera e dytë që provonte të këndonte, pasi e kishte provuar me Ardit Gjebrean në spektaklin “Miss Albania”. Në intervistat e saj në media, Valbona Selimllari ka pohuar se në të vërtetë nuk është e prerë për prezantim, por as nuk mendon se ka dështuar pasi shumë e kanë pëlqyer. Përveç se drejtore estetike e spektakleve të Grabockës, ajo ka qenë dhe asistent-regjisore e Verës, pasi regjia ishte dega për të cilën ajo u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura, pas kurorëzimit të saj si miss.











