“Vajza kishte probleme me sjelljen, por…”- Dhunimi i 17-vjeçares, flet nëna e një prej autoreve: E bullizonin shumë, ka nevojë për kurim! Ja si e mësova ngjarjen

Jul 14, 2026 | 13:07

Video e dhunës barbare ndaj një 17-vjeçareje në Fier e publikuar në rrjetet sociale dhe më pas në media, ka tronditur opinionin publik, teksa reagimet kanë qenë të shumta, duke ngritur shqetësime për sjelljet e brezit të ri.

nena e nje prej vajzave

Policia dhe Prokuroria paralelisht po hetojnë rastin, teksa kanë arrestuar një 20-vjeçare si autore, kurse dy të tjerat 15-vjeçare, ndiqen në gjendje të lirë, të trija me masë Gjykate.

Pas prindërve të vajzës së dhunuar, në emisionin me “Zemër të Hapur” ka dëshmuar sot në “News 24” për gazetaren Evis Ahmeti, edhe nëna e një prej 15-vjeçareve të dyshuara.

Në intervistën e saj, ajo tha se familja kishte vënë re prej kohësh probleme serioze në sjelljen dhe gjendjen emocionale të vajzës, por nuk kishte mundësi ekonomike për t’i siguruar trajtimin e nevojshëm.

“Ne e mësuam ngjarjen kur na thirri policia. Shkuam në komisariat, vajza ishte aty dhe dhamë deklarimet. Policia na kishte thirrur më 9 qershor. Na thanë vetëm se kishte goditur pak vajzën, nuk dinim asgjë më shumë”, u shpreh nëna e të dyshuarës.

Sipas nënës, vajza nuk i kishte treguar asgjë për ngjarjen dhe vazhdonte të dilte lirisht jashtë, pa shfaqur frikë. Madje vajza kishte sjellje të çuditshme dhe nevojë për kurim, pasi edhe bullizohej shumë në shkollë.

“Ajo rrinte jashtë deri në orën 12:00 apo 02:30 të natës. Më thoshte se do të dilte me shoqet, por unë nuk i njihja. I kërkoja të mos dilte natën, por nuk më dëgjonte. Vajzën e bullizonin shumë në shkollë. Ajo na dhunonte edhe mua, edhe bashkëshortin tim. Madje ka denoncuar edhe bashkëshortin për dhunë në familje, por kjo nuk ka ndodhur”, deklaroi ajo.

Familja kishte kërkuar edhe ndihmë që në muajin nëntor, pasi e kishte kuptuar se gjendja e vajzës nuk ishte e mirë, por për shkak të vështirësive ekonomike nuk kishte mundur të siguronte trajtimin e nevojshëm.

Ajo i kërkoi falje publike 17-vjeçares së dhunuar dhe familjes së saj.

“I kërkoj shumë falje dhe ndjesë 17-vjeçares dhe familjes së saj. Jam nënë vetë. Për vajzën time dua vetëm të shërohet dhe u bëj thirrje institucioneve që të sigurojnë kurimin e plotë të saj”, përfundoi ajo.

© Panorama.al

Te lidhura