
Probleme me infrastrukturën e mungesa të pedagogëve. Kështu do të nisë viti i ri akademik për rreth 13 mijë të rinj, që do të ndjekin studimet në të gjitha ciklet, në Universitetin e Tiranës. Rektori i UT, Dhori Kule, shprehet se për të përballuar fluksin në rritje të studentëve, duhen 3 herë më shumë pedagogë. Shtimi i tyre është i domosdoshëm, por nga ana tjetër duhet të shoqërohet me buxhet, çka për vitin 2011 nuk është bërë. Sipas Kules, Ministria e Arsimit duhet të rishikojë buxhetin për t’i dhënë mundësinë universitetit të rekrutojë staf. “Çdo pedagog i brendshëm kryen punën e tre pedagogëve. Zhvillojmë 600 mijë orë pune me ngarkesë mësimore dhe paguajmë me fond pagash vetëm 240 mijë orë pune. Që të trefishohet numri i pedagogëve, kërkohet një buxhet trefish, aktualisht është e pamundur kjo gjë”, sqaron Kule. Një lajm i mirë vjen për Kampusin e shumëpritur. Sipas rektorit, gjasat që ndërtimi i tij të nisë në tetor janë të shumta. “Shpresoj që me fillimin e vitit të ri akademik të fillojë dhe procesi i ndërtimit të Kampusit të ri, që do të jetë një nga zgjidhjet kryesore për arsimin e lartë në Shqipëri dhe Universitetin e Tiranës në veçanti. Na është krijuar një problem, meqenëse kemi shtuar për këtë vit numrin e studentëve në degën e teknologjisë së informacionit dhe kështu na është kërkuar, na krijohet problem për këtë fakultet për ambiente”, thotë Kule. Sipas tij, është miratuar financimi prej 23 milionë eurosh për të materializuar projektin, që do të ofrojë mjedise studimi për 15 mijë studentë të rinj. Ndërtimi i këtij Kampusi modern me 5 kate pritet të përfundojë brenda tri viteve. Në vitin 2012, sipas rektorit Kule do të jenë gati godinat mësimore. Ndërkohë që më pas do të materializohet pjesa tjetër e planit urbanistik, i cili parashikon ndërtimin e sallave të konferencave, bibliotekës, fushës së minifutbollit, tenisit, basketbollit dhe pistës së vrapimit. Ngritja e Kampusit Universitar do t’i japë zgjidhjen përfundimtare problemit të infrastrukturës dhe mungesës së ambienteve nëpër fakultete dhe një dimension tjetër Universitetit Publik të Tiranës. Edhe këtë vit, Universiteti i Tiranës mbetet më i preferuari nga studentët e rinj. Mbi 13 mijë të rinj në të gjitha ciklet, full time, part-time, master profesional dhe shkencor do të ulen në tetor në auditorët e universitetit.











