PRISHTINE- Menjëherë pasi kanë kuptuar se EULEX’i ka arrestuar disa nga bashkëluftëtarët e tyre, kanë reaguar ashpër organizatat e dala nga lufta e UÇK`së. “Jemi tepër të indinjuar me rastin e arrestimeve të veteranëve të luftës së UÇK’së nga Malisheva dhe Lipjani. Ritheksojmë se veprimet e EULEX’it janë të pabazuara e të papërgjegjshme, me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare dhe për të provokuar një situatë të tensionuar në Kosovë”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK`së.
Ata kanë thënë se organizatat e dala nga lufta, në asnjë mënyrë nuk pajtohen me këto veprime antishqiptare dhe konsiderojnë se ky mision e ka devalvuar veten në sytë e qytetarëve të Kosovës. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj janë të njohura ndërkombëtarisht. Demonizimi i luftës së UÇK’së nga misioni i EULEX’it tregon bashkëpunimin që ka ky mision me Serbinë gjenocidale dhe me argatët e saj brenda Kosovës”, thuhet më tej në reagim.
Sipas tyre, UÇK’ja nuk është formuar për të kryer krime, por për të ndalur krimin shtetëror serb dhe për t’i dhënë fund okupimit 86’vjeçar.
Ata më tej theksojnë se UÇK’ja ka dhënë shembuj të shumtë në mbrojtjen e popullatës civile, siç vlen të ceket mbrojtja e 85.000 civilëve në malet e Berishës, ashtu siç ishte e suksesshme edhe në betejat e saj kundër një armiku shumëfish më të armatosur.
Lidhur me këtë rast, OVL e UÇK’së ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të njoftohet opinioni publik për masat që do të ndërmarrin këto organizata në lidhje me arrestimet e kryera nga EULEX`i.
© Panorama.al











