Ura e Bunës sulmohet nga hajdutët e skrapit

Nov 21, 2011 | 9:09

Ura e vjetër e Bunës rrezikon shkatërrimin e plotë. Persona të cilët e sigurojnë jetesën me shitjen e skrapit, mësyjnë çdo ditë, duke vjedhur hekurishtet e saj me qëllim për t’i shitur.

Duket se hekuri i urës së Bunës është kthyer në shpëtim për familjet e varfra, por nga ana tjetër, rreziku i ndonjë katastrofe po bëhet më i madh nga dita në ditë. Kjo pasi ura në pjesë të caktuara të saj mund të rrezikojë shembjen. Ndërkohë që kjo urë vazhdon të jetë ende një rrugë për kalimin e dy anëve të lumit Buna për shumë këmbësorë, persona me biçikleta apo dhe motorë. Me ndërtimin dhe vënien në funksionim të urës së re mbi lumin Buna,  makinat tashmë kalojnë mbi të.
Koha e gjatë e funksionimit, amortizimi, por edhe mosrespektimi i tabelave të qarkullimit nga disa shoferë të mjeteve të rënda, kanë detyruar drejtuesit e ndërmarrjes së rrugëve rajonale dhe të urave që të pengojnë kalimin e makinave mbi urën e vjetër. Kjo urë është ndërtuar para 120 vitesh. Ajo është amortizuar në maksimum dhe është jashtë standardeve të qarkullimit. Pesha që kanë lënë vitet mbi këtë urë nuk është shkatërruesi i vetëm i saj, por janë njerëzit ata që po e çojnë atë drejt shembjes. Mësohet se pas situatës së krijuar, Bashkia e Shkodrës ka kërkuar ndihmën e strukturave të Policisë që të identifikojnë personat që po e shkatërrojnë dhe të vihen para ligjit. “Ne duam që Ura e Bunës të ruhet. Madje, kemi hartuar projekte në të cilat Ura e vjetër e Bunës të përfshihet si pjesë e historisë së qytetit edhe nëpër guidat turistike. Nuk duhet ta lëmë të shkatërrohet. Ne i kërkojnë policisë të kapë autorët sa nuk e kanë shkatërruar plotësisht”, u shprehën burime nga Bashkia e Shkodrës. Mësohet se vjedhja e elementëve prej hekuri bëhet gjatë natës, pikërisht atëherë kur dhe nuk ka lëvizje. Kanë qenë banorë të zonës dhe qytetarë të cilët kanë hobi peshkimin, të cilët kanë vënë re dëmtimin që po u bëhet krahëve të urës dhe bazamentit të saj prej profileve të hekurit. Pas këtij konstatimi, ata kanë vënë në dijeni Bashkinë për situatën e krijuar dhe rrezikun që ura një ditë të shembet. Ura e vjetër e Bunës, e cila për rreth 100 vite ka shërbyer si urë lidhëse mes Zonës së Anës së Malit, Ulqinit, Shirokës e Zogajve me Shkodrën dhe anasjelltas, tashmë është e mbyllur për qarkullim. Një vendim i tillë u mor nga Bashkia Shkodër, pasi me ndërtimin e një urë të re kjo vepër do të shërbejë si një shëtitore. Tashmë ajo shërben për kalimin e këmbësorëve, për biçikletat e motoçikletat, por dhe për peshkatarët të cilët nuk e harrojnë traditën e tyre të peshkimit me grep nga kjo urë. Ura e Bunës është ndërtuar me fondet e qeverisë turke në vitin 1889. Ndërtimi u bë i mundur në sajë të  iniciativës së guvernatorit të Shkodrës, Qazim Pashës, si dhe bashkëpunimit të tij me kryetarin e Bashkisë së asaj kohe,  Bejtashagë Kazazin. Ura ishte projektuar nga inxhinieri turk Ali Beu. Për ndërtimin e saj u përdorën këmbë çimentoje të lidhura me trarë hekuri, si dhe dërrasa për shtrimin e pjesës së sipërme të saj. Ajo është hapur me anë të një mekanizmi në formën manuale, hapja e së cilës në fillim shërbeu si mbrojte nga rreziku malazez e më vonë për të bërë të mundur lëvizjen e varkave nga lumi Buna në liqenin e Shkodrës dhe anasjelltas.
RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura