Unë gruaja, përballë!

Mar 13, 2011 | 12:34

“Zhurmuesit”e shfaqjes

Mëngjeset e të dielave të mia tani nuk kanë më kuptim pa imagjinuar reagimet tuaja, teksa kërkoni mes rreshtash imazhin e dikujt që njihni apo e hasni çdo ditë. Kësaj radhe është më e lehtë, se personi që kam parë nuk ka kopje të dytë në këtë botë. Priste tek biletaria e “Teatrit Kombëtar”, ashtu si unë për të blerë bileta për shfaqen “Art”. Parfumi i tij më erdhi si një mesazh reklame i ndonjë pesticidi mushkonjash. Palltoja e gjatë e zezë dhe shalli bezhë, fshihnin brenda tyre një talent të pashoq prej gjinkalle. Zhurmat që bënin njerëzit për të gjetur vendet, po zëvendësoheshin pak nga pak me një këngë franceze, e cila na futi në atmosferën e shfaqes. Ai i thoshte shokut në krah se muzika franceze ka këngë më të mira se kjo e mund të kishin zgjedhur një tjetër. E pra, si nuk e kishin menduar këta të regjisë që spektatorët para se të vijnë të shohin shfaqen, të kenë edhe një listë me këngë që duan t’i dëgjojnë ose t’ia kërkojnë orkestrës, si në dasmë. Për ta marr vesh edhe unë, liliputi ngjitur me të, se ky nuk ishte një njeri i zakonshëm, fjalën “frënge” e thoshte “fhënge”, dhe e shoqëronte me një tundje të lehtë të dorës si për të lënë të kuptohej se Pahis-Tihanë e kishte bukë e djathë. Që në fillim nuk u pajtua me skenografinë. Mbajta vesh se mos ndanim të njëjtin mendim. Jooo, largpamësia e tij kërkonte standard antioksidant. Po mirë, le ta mbushim sallën e teatrit me mollë jeshile, pse çfarë ka!? Artan Imami nisi të tregonte për një pikturë që kishte blerë miku i tij. Një pikturë e bardhë me viza të bardha, e cila u bë molla e sherrit për tre miqtë. Unë vetëm kaq mora vesh, se pastaj monologun e vazhdonte ky “kritiku” i famshëm. “Posi – thoshte- fjala duhet të më rrëmbejë, të më hedhë tutje si tornado. Po jo more djalë, jo….” . Ufaa fjalët e aktorëve i kuptoja nga lëvizja e gojës, se dublimin ia bënte “mjeshtri”. E kam parë 743.654 herë, që ta kuptonte vetë se duhet të pushonte. Vështrimet e para i titullova: “Të lutem!”, ndërsa ato të fundit: “Po ç’paske qenë o burrë i dheut!!”. Pasioni për artin do e kishte bërë një njeri me ndjeshmëri të lartë ndaj gjithçkaje. Ishte i gjithkahditshëm. Zërin e impostonte sa herë që i duhej të bindte mikun e tij se ishte ashtu siç thoshte ai. Kokën e lëviste si rosak, madje herë-herë më duket se bënte edhe mak-mak. Piktura e bardhë që ishte blerë prej personazhit të interpretuar nga Enver Petrovci, më duhej urgjentisht mua. Doja të hidhja aty linjat e nofullave të tij të palodhura në formë hipopotami. Nuk u bë gjë. Befas ndjeva se nuk po pipëtinte, sa u fut në skenë Bujar Asqeriu në rolin e një servili pa identitet. Çfarë të ketë pasur!? Kur dritat u ndezën, ai duartrokiste duke bërtitur me një  “rr” kërcitëse: “Brravo!”. Aktorët përshëndesnin, po ky nuk arriti të duartrokiste gjatë, se njërën dorë e kishte të zënë duke fshirë lotët. Më lindën shumë dyshime se pse po përlotej. Të gjitha ishin të pranueshme, po vetëm ideja se mund të jetë mallëngjyer nga shfaqja nuk më bindi. Vë bast me sa të doni, nëse ai ka dëgjuar qoftë edhe një fjalë nga gjithë sa u tha aty. Mos ishte një ritual që duhej bërë për t’u dukur me shpirt artisti!? Provova dhe unë, po prapë asgjë. Ah sa do doja që biletat e asaj nate t’i shtypja me dorën time e t’ia jepja mikut të tij me mbishkrimin: “Ju lutem, lërini papagajt në shtëpi!”.
Si më ka shkuar ajo ditë, vaj. Po i bëj sytë katër të “gjuaj” ndonjë tip që ia vlen për të qenë në diskutimet tuaja të të dielave. Më uroni fat!

 

Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]

© Panorama.al

Te lidhura