Femra, shejtani dhe…filani
Flitet se shoqëria po shkon drejt individualizmit, konsumizmit e ca “izma” të tjera. D.m.th, që ne po bëhemi gjithmonë e më shumë vetja. Mos ka ardhur dita që të shpresoj se për burrat nuk do të jemi më, “ato që fusin shejtanin në shishe”. Kaq dua unë të di, përtej referimeve të gjata që marrin në analizë edhe faktorë të jashtëm që në dukje të parë nuk kanë të bëjnë me këtë çështje. Ç’lidhje ka mes femrës, shishes… Asgjë dhe gjithçka njëkohësisht, që përbën një dëshirë për të na fajësuar edhe kur nuk është nevoja. Po thellë-thellë më duket se problemi qëndron në atë se çfarë mund të ndodhë pas taposjes mirë të shishes. Kur e mendoj se klasifikimet janë kaq të prera, më duket vetja si një rrezik që sillem rrotull, gati të hedh në erë gjysmën e botës. Ndonjëri po aprovon tani, duke e tundur kokën në formën e një gjysmë rrethi që bashkohet me gjysmën tjetër të lëvizjes në të njëjtën pikë: dyshimi për ne. Po kërkoj me mend arsye me veti fizike të forta që të mirëkuptohemi për atë punën e “rrezikut”. Po të shohësh qetësisht atë raportin mes femrës dhe shejtanit, ndoshta mund të jetë thjesht çështje durimi. Ja: 1) A nuk mund të themi se kemi durim të madh, kur një burrë na kundron nga këmbët tek koka dhe kur e sheh, vazhdon më të njëjtën qetësi pa e vrarë mendjen. 2) Sa vlen një nënqeshje kur na parakaloni me makinë, thua zbuluat Amerikën e dytë? 3) Si do ju tingëllonte sikur tek shprehja që thotë, se femrat kanë lindur për të vuajtur, ta zëvendësojmë fjalën “femrat” me “meshkujt”?
Pastaj, në atë raport është edhe një shishe. Përfytyroj shpejtësinë, me të cilën mund të jetë vënë tapa e shishes. Sa më e vogël të ketë qenë shishja, aq më e madhe do të ketë qenë mjeshtëria e asaj që e ia ka dalë mbanë. Mua nuk më habit qëndrimi i ftohtë prej zotërie para një fakti të tillë, po më intrigon pa masë se si paskemi kaq shume aftësi e çdo ditë qahemi nga ju burrat?! Apo bëni kot juve zotërinj? Ajo shishja do ketë qenë me një fund të dyfishtë pasqyrash, ku do ishte tërhequr drejt bazës se saj çdokush që do donte të prekte limitet e vetes. Kështu do e ketë pësuar edhe ai, “shejtani”, duke pasur besim të madh e u përplas me një pjesë të historisë që e bëri si prenë e saj të dobët. Ç’material duhet të ketë një enë që të mbajë trofeun e krenarisë femërore? Çfarëdo qoftë, ia ka dalë të mbajë gjallë një legjendë, ku morali i saj (si flluskë sapuni për ne) vlen sa një dordolec në arë. Në këtë botë ku nënshtrimi është sfidë, ka kohë për të fituar e humbur.
Kësaj të diele i duhet patjetër dikush që ta bëjë të pranishme kundërpeshën e asaj që do t’ju ketë ardhur si reagim i mirëpritur nga ç’u tha më lart. Mos ia thoni të gjitha burrave, ca po i mbajmë për vete! Ju shkel syrin dhe ju pres prapë javën tjetër me më shumë adrenalinë!
Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]











