
Kërkesa pranë ERRU. Nga 33 lekë për metër kub ujë, qytetarët do paguajnë 55 lekë për metër kub.
Përjashtohen nga shtrenjtimi vetëm furrat e bukës.
Çmimi i ujit mund të rritet dhe vendimi tashmë është në dorë të Entit Rregullator të Ujit. Dje, në një dalje për mediat, drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë, Sahit Dollapi, ka bërë të ditur se kompania ka kërkuar rritje të çmimit të ujit, duke e argumentuar këtë me investimet që janë bërë në rrjet, si dhe me përmirësimin e një sërë treguesve. Ndërkohë që sipas Dollapit, të tjera investime të reja do të kryhen në rrjet për të garantuar furnizim me ujë 24 orë dhe ka kujtuar që tashmë orët e furnizimit me ujë të pijshëm janë rritur, krahasuar me më parë, duke shkuar në maksimalisht 16 orë në ditë. Për Dollapin, kërkesa për rritje të çmimit ka pas vetëm arsyen e përmirësimit të cilësisë së shërbimit për qytetarët. Ai theksoi në fjalën e tij se UKT ka përmirësuar ndjeshëm arkëtimet, ka instaluar matës të rinj, të cilët kanë ulur ndjeshëm edhe faturimin afrofe të ujit.
“Për ta sjellë shërbimin në standardet më të mira në të gjithë komponentët e tij, pas një viti me rezultate konkrete pozitive, Ujësjellësi i Tiranës i ka kërkuar Entit Rregullator të Ujit të miratojë propozimin për të vendosur një çmim të ri të tarifave të ujit”, tha Dollapi.
Çmimet e propozuara
Por sa ka qenë çmimi që Ujësjellës-Kanalizime ka propozuar që të rritet për secilën kategori. Në kërkesën drejtuar Entit Rregullator reflektohet një rritje me rreth 60-70 për qind të çmimit për qytetarët. Nga 33 lekë për m3 ujë, që është çmimi aktual, çmimi i kërkuar nga UKT është 55 lekë për m3 ujë, në 55 lekë për të njëjtën sasi. “UKT është shoqëri tregtare, UKT nuk ka lënë pas dore ndjeshmërinë sociale. Bazuar në këtë parim, UKT propozon rritjen e çmimit për popullatën vetëm me 22 lekë/ m3. Ose thënë ndryshe, çmimi i propozuar prej nesh për popullatën është 55 lekë për 1 mijë litra ujë”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit lidhur me kërkesën e bërë pranë ERRU-së. Ndërkaq, rritje është kërkuar edhe për entet buxhetore për të cilat rritja e kërkuar është me 40 lekë për m3 ujë. Nëse aktualisht këto ente paguajnë 110 lekë për m3, atëherë nëse ERRU do të miratojë kërkesën e Ujësjellësit do të paguhet një çmim 150 lekë për m3 ujë. Për entet private, rritja e kërkuar është me 30 lekë për m3 ujë, kurse për biznesin që operon në prodhimin e pijeve alkoolike, freskuese apo ujë për pishina, rritja e kërkuar është më e madhja, me 60 lekë për m3, nga 140 lekë në 200 lekë për m3 ujë. Të vetmet që janë përjashtuar nga kërkesa për rritje të çmimit të ujit janë furrat e bukës. Këto biznese do të mbajnë të njëjtin çmim, me 95 lekë për m3 ujë dhe mundësia e rritjes është përjashtuar nga vetë Ujësjellësi për të mos krijuar efekt zinxhir të rritjes në çmimin e bukës që prek qytetarët. Dje, kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve, Sahit Dollapi, u shpreh se kërkesat e institucionit që ai drejton janë të drejta dhe nuk rëndojnë shumë qytetarin, pasi mbi të gjitha luftohet që të mbulohen kostot e kompanisë dhe të garantohet një cilësi sa më e mirë shërbimi. “Kërkesa është e drejtë dhe e ndershme, sepse nga njëra anë, çmimi i ri që propozohet barazohet me koston e prodhimit të ujit dhe nga ana tjetër, është i përballueshëm nga popullata dhe kategoritë e tjera konsumatore”, tha Dollapi.
Ndërhyrjet
Ndërhyrjet në rrjet kanë qenë një nga problematikat kryesore që shfaqen për kompanitë e ujësjellës-kanalizimeve. Ndërkaq, problem real sipas raportit të BB mbetet edhe instalimi i matësve. “Niveli i ulët i instalimit të matësve, në më pak se 50 për qind të lidhjeve, kombinuar me lidhjet ilegale në rrjet, sjell që kostot e shërbimit të shpërndahen pabarazisht në të gjithë sistemin”.
Negociatat per Lanabregasin
Ujësjellësi i Tiranës është në negociata me Ministrinë e Ekonomisë për të blerë hidrocentralin e Lanabregasit, i cili pak kohë më parë, së bashku me disa HEC-e të tjera, u ndanë si shoqëri anonime me menaxhim më vete nga KESH. Kjo blerje do të bëhet për të ulur kostot operative që ka UKT, ndërkohë që këtë deklaratë e ka bërë ministri i Punëve Publike dhe Transporteve pak kohë më parë.
Institucionet
Tarifat aktuale Tarifat e propozuara
Lekë për metër kub ujë
Popullata 33 55
Entet buxhetore 110 150
Entet private 120 150
Prodhim pije alkoolike,
freskuese, ujë, pishina etj. 140 200
Furra buke 95 95
Shitje uji me shumicë 10 20
Propozimi i Bankës Botërore
Banka Botërore në një raport të fundit të saj ka propozuar rritje të çmimit të ujit. Ky sugjerim ka ardhur si efekt i vëzhgimit të saj në kopanitë e ujësjellës-kanalizimeve në gjithë vendin Në raportin “Decentralizimi dhe realizimi i shërbimeve në Shqipëri: qeverisja në sektorin e ujit”, Banka Botërore jep konstatimet për sektorin. Sipas saj, veçanërisht të pakënaqshëm janë treguesit e eficiencës, madje mungesa e të ardhurave nga uji deri në 70 për qind, e bën të pamundur autonominë financiare. “Për Entin Rregullator të Ujit është politikisht e vështire të aprovojë rritje sinjifikative të tarifave në kompani kaq ineficiente. Prapë kompanitë kanë nevoje për tarifa më të larta për të rritur likuiditetin e tyre që të paguajnë për kostot e operimit, përfshi dhe mirëmbajtjen preventive”, thuhet në raport.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











